Shkruan: Gazmend Abrashi
Sot të gjithë shqiptarët anembanë botës kemi të drejtën të shprehim revoltën e thellë në lidhje me vendimin e UEFA-së për rezultatin e ndeshjes së futbollit ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë në favor të Serbisë 3-0 dhe ndëshkimit të Shqipërisë me 100,000€, përkundër ndëshkimit plotësues të reprezentacionit të Serbisë.
Si spektator në stadium me shumicën e bashkatdhetarëve nga Shqipëria dhe të tjerë nga Prishtina, e kam përjetuar atmosferën “live” duke u bërë dëshmitar i asaj që ndodhi. Njëjtë si të dërguarit e shumë mediave ndërkombëtare dhe një auditorium i paanshëm i Evropës, unë besoj se ishte jologjike të vazhdohej një ndeshje e cila po zhvillohej në rrethana rrezikuese për lojtarët tanë.
Në një opinion të distancuar sportiv, mund të komentohet se fituesja në grup nga vendimi i UEFA-s është Danimarka.
Në një vlerësim etik, UEFA, siç po vërehet me të drejtë, ka promovuar racizmin duke toleruar huliganizmin e manifestuar në stadium nga tifozët e kombëtares serbe.
Në të vërtetë, fituesi i madh prej krejt kësaj është kryeministri dhe qeveria e Serbisë. Aleksandër Vuҁiq trashëgoi nga paraardhësi një krizë të thellë ekonomike. Parametrat janë dekurajues: mundësia e falimentimit tani më flitet publikisht; në dy vitet e fundit deficiti buxhetor është dyfishuar duke arritur në 8,5 për qind të Bruto Prodhimit Vendor (BPV), përndryshe më i larti në Evropë; borxhi publik llogaritet në 20 miliardë euro. Nën presionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) qeveria e Serbisë mori para pak javësh vendimin për t’i zvogëluar pensionet dhe rrogat e administratës publike deri në 20%. Secila qeveri në Europë po të paralajmëronte pakësimin e të ardhurave për vetëm 5% do të haste në rezistencë popullore.
Pikërisht zhvendosja e fokusit në agjendën nacionaliste, duket ta ketë shpëtuar qeverinë Vuҁiq nga protestat masive dhe konflikti i brendshëm social. Manipulimi i ndjenjave nacionaliste në rast krize ekonomike e politike është një kartë e përdorur historikisht nga politikanë kudo në botë, e në Serbi veçanërisht.
Me gjasë, momenti i vendimit për uljen e pagave është zgjedhur me kujdes nga ai apo njerëz shumë pranë tij. Ngjarjet në stadiumin Partizani të Beogradit u pasuan nga vizita e presidentit rus në kryeqytetin serb. Nuk kishte arsye të fortë që Vladimir Putini të ishte i pranishëm në paradën e ekzagjeruar dhe folklorike të mbajtur me rastin e 70 vjetorit të çlirimit të Beogradit, kur në tetorin e vitit 1944 ushtria sovjetike nuk luajti ndonjë rol vendimtar në largimin nga kryeqyteti të trupave naziste. Është e qartë se Putini vinte me një agjendë gjithashtu. Së pari Rusia ka arritur të fitojë kontrollin mbi energjinë e Serbisë, përmes GazPromit. Së dyti, presidenti rus i dërgoi një mesazh Bashkimit Evropian dhe Perëndimit se, pas Ukrainës dhe shteteve fqinje satelite të ish-Bashkimit Sovjetik, do të provojë ta mbajë edhe Ballkanin brenda sferës së influencës.
Kjo përndezje nacionaliste i shkoi për shtat Aleksandër Vuҁiqit. Nuk përjashtohet pra që ngjarjet në stadium të jenë orkestruar paraprakisht, në mënyrë që mbrëmjen e 14 tetorit të sigurohej efekti maksimal i “spektaklit” nacionalist. Në këtë këndvështrim nuk duket i rastësishëm as reagimi I orkestruar i qeveris serbe rreth ngjarjes, duke përcaktuar tonin. Fatkeqësisht, mediat ndërkombëtare, ashtu si edhe ne, u zunë në befasi duke u instrumentalizuar në pasqyrimet e para të zhvillimeve. Nuk përjashtohet po ashtu që të jetë fiksuar rezultati me vendim-marrës të UEFA-s prej më herët, kur dihet shkalla e denoncuar e korrupsionit brenda këtij organizmi. Kjo shpjegon paqartësitë e qëllimshme gjatë lojës dhe gjatë pauzës, siç po del publikisht tani.
Nëse ky ishte një skenar i menduar dhe realizuar mirë, koha do ta tregojë.
Por detyra jonë parësore është që të mos biem pre e një provokimi të paramenduar dhe të lëshohemi në divergjenca, akuza të ndërsjellta, etiketime të pakuptimta ndërshqiptare, siҁ është vërejtur këtyre ditëve ne media dhe rrjetet sociale. Kjo është e padobishme, e papranueshme dhe e rrezikshme.
Të vetëdijesohemi që edhe një humbje e pa drejtë e “betejës” te na nxjerre të bashkuar e jo të ndarë. Nëse Serbia ka arritur deri tani dy fitore përmes kësaj meseleje: në planin e brendshëm duke zbutur përkohësisht tensionin social dhe në sport me rezultatin favorizues në ndeshjen e keqgjykuar nga UEFA, të mos e lejojmë ta marrë edhe fitoren e tretë duke na përçarë mes veti. Qëllimi ynë është të fitojmë “luftën” për zhvillimin ekonomik te vendit dhe ngritjen e potencialit intelektual te kombit shqiptar.
















