Pas gati 15 vitesh, Bashkimi Evropian ka vendosur të shfuqizojë sanksionet ndaj pasurive të ish-diktatorit dhe presidentit të ish-Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviç, familjes së tij dhe disa bashkëpunëtorëve të tij politikë.
Menjëherë pas luftës në Kosovë në vitin 2000, BE-ja ngriu të gjitha pasuritë e Millosheviçit, ish-presidentit serb Milan Milutinoviç dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Dragoljub Ojdaniç.
“Radio Evropa e Lirë” citon një burim zyrtar në BE, i cili ka thënë se sanksionet janë hequr për shkak se këta persona nuk përbëjnë më rrezik për BE-në.
Ata akuzoheshin për krime lufte dhe krime ndaj njerëzimit gjatë luftërave gjakatare në Bosnjë, Kroaci dhe Kosovë në vitet 90-të.
Millosheviçi akuzohej gjithashtu edhe për gjenocid gjatë luftës së viteve 1992-95 në Bosnjë, ku u vranë e masakruan më shumë se 100 mijë myslimanë.
Në pritje të dënimit përfundimtar pas një procesi të stërzgjatur gjyqësor, Millosheviçi u gjet i vdekur në qendrën e paraburgimit në gjykatën e Hagës, më 11 mars të vitit 2006.
Sipas medieve serbe pasuritë e Millosheviçit llogariten në miliarda euro, të mbyllura në banka të ndryshme evropiane, kryesisht në Qipro. Gruaja e tij, Mira Markoviç, është akuzuar vazhdimisht se ka marrë me vete 4 miliardë euro të thata me vete në Rusi, atje ku jeton aktualisht.
Familjarë dhe të afërm të ish-diktatorit ndodhen në proces gjyqësor prej shumë vitesh, për një sërë pronash të paluajtshme, ku përfshihen disa hektarë prona, dhjetëra vila dhe biznese.















