Krejt në hyrje hapësira është e frikshme. Objekti i rrënuar kombinohet fort me mjerimin. I ngjan një ambienti pas tërmetit që ka shkatërruar gjithçka bashkë me njerëzit. Këmbët e njerëzve shihen gjithandej. Duket sikur kanë lënë pjesët e trupit duke hapur kanale në kohën e komunizmit.
Artisti Sadik Spahia në një objekt të shndërruar në gërmadhë të komunizmit ku mund të jetojnë vetëm merimangat, ka paraqitur hallet e popullit në sistemin totalitar. Pjesë e punimeve janë edhe ambientet ku udhëheqësit dikur kanë marrë vendime në kurriz të popullit.
“Në përgjithësi punimet kanë lidhje me pushtetin e rolin që ka ai në jetën njerëzore”, shpjegon Spahia tek mban cigaren në dorën e djathtë, kurse të majtën e drejton tek punimet për të cilat flet. Thotë se në skulpturat që ka paraqitur është munduar të eksplorojë anën e errët të asaj kohe që u vinte vulë fateve njerëzore.
“Merren në konsideratë eksperienca të ndryshme sa reale aq edhe të menduara”, thotë ish – dekani i Fakultetit të Arteve Pamore në Universitetin e Tiranës.

















