Streha personale e Benito Musolinit hapet për publikun 74 vjet pasi ish-diktatori fashist i Italisë nisi ndërtimin e një sërë dhomash të fortifikuara nëntokësore për të mbrojtur veten dhe familjen nga bombardimet e luftës. Departamenti i Kulturës në Romë tha se hapja bunkerit të Musolinit do t’u kujtojë vendasve dhe turistëve “një nga faqet më të errëta të historisë italiane”, shkruan “Reuters”.
Musolini ishte në krye të Italisë nga viti 1922 deri në 1943 dhe ajo për të cilën kujtohet në histori është bashkëpunimi me diktatorin nazist gjerman, Adolf Hitler në Luftën e Dytë Botërore, si dhe për miratimin e ligjeve që persekutuan hebrenjtë.
Marco Placidi, president i organizatës jo-fitimprurëse ”Underground Rome“, tha se lideri i njohur edhe me emrin Duçe, vendosi të ndërtojë një bunker nga frika e bombardimeve, por me të gjitha kushtet e nevojshme, madje luksoze, me mure dhe dyer të fortifikuara, megjithatë, në një vend të papërshtashëm.
“Sapo vendosi të hyjë në luftë, Musolini vendosi të ndërtojë një strehë për vete dhe familjen e tij, duke përshtatur një bodrum në një bunker kundër sulmeve ajrore. Dyert janë kundragaz dhe dhomat të pajisura me sistem për filtrin e ajrit. Gjithsesi, bunkeri është shumë i papërshtatshëm, pasi është vendosur në një kopsht rreth 100-150 metra larg zonave të banuara, ndaj bunkeri nuk jep garanci për mbrojtje nga shpërthimet e mundshme.
Mirëpo Musolini nuk arriti ta përdorë kurrë bunkerin e tij personal, pasi në vitin 1943 ai u arrestua dhe në atë kohë një e treta e bunkerit ende nuk ishte përfunduar. Në prill të vitit 1945 ai u vra dhe bunkeri është sot ashtu siç mbeti në atë kohë, i papërfunduar.
Kryebashkiaku i Romës, Ignazio Marino, në një deklaratë për mediat tha se hapja e këtij bunkeri për publikun ka vlera edukative. “Ne besojmë se ajo që ndodhi shekullin e kaluar është diçka që nuk duhet të ndodhë përsëri. Ndonjëherë, kjo është edhe arsyeja pse është kaq e rëndësishme që ne jemi sot këtu: sepse kemi nevojë të edukojmë fëmijët tanë me koncepte të rëndësishme si liria dhe nevoja për të thënë të vërtetën”, tha ndër të tjera ai. Bunkeri do të hapet për publikun më 31 tetor.


















