Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një dalje për mediat ka akuzuar qeverinë se ka dalë mbi ligjin dhe Kushtetutën. Ai është ndalur duke komentuar arrestimet, ku ka thënë se qytetarë të thjeshtë, sipërmarrës të ndershëm, e të tjerë, janë shoqëruar në komisariate, janë arrestuar, janë vënë në pranga pa vendim prokurorie e gjykate, si në ditët më të errëta të shtetit policor komunist. Sipas tij, nën petkun e reformës së administratës publike, nën alibinë e prishjeve të ndërtimeve pa leje, me pretendimin demagogjik se gjoja po bën shtet, Edi Rama po hakmarret ndaj çdo individi që ka denoncuar korrupsionin dhe pazaret e tij si ish-krybashkiak deri dje, dhe si kryeministër sot. “Të frymëzuar e orkestruar prej tij, Policia e Shtetit, INUK, policia tatimore, drejtorët e administratës publike dhe institucioneve shtetërore po shkelin arbitrarisht dhe po dhunojnë në mënyrë flagrante Kushtetutën, ligjet e vendit dhe të drejtat themelore të qytetarëve të sanksionuara në Kushtetutën e Republikës, në Konventën Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore. Po dhunojnë dhe kërcënojnë biznesin, sipërmarrjen dhe median e lirë me gjoba marramendëse dhe mbyllje të aktiviteteve. Po shkatërrojnë pronat dhe pasuritë e qytetarëve të ndryshëm”, u shpreh Basha. Ai tha se Qeverisë Rama-Meta mund t’u interesojnë shumë gjëra, por nuk i intereson as sa fija e flokut, ajo që përbën vetë arsyen e qeverisjes, halli i qytetarit, halli i individit, halli i familjeve. Basha deklaroi se me një cinizëm dhe paturpësi të skajshme, kjo qeveri po shkarkon mbi kurrizin e qytetarëve në nevojë dhe mbarë qytetarëve të ndershëm barrën e stërmadhe njeqindmilionë dollarëshe të dështimit të saj të stërmadh në menaxhimin e CEZ-it. “Kryeministri po lëshon ultimatume prej të mbyturi duke harruar se përgjegjesi numër një për humbjet dhe vjedhjet e energjisë elektrike është vetë ai që ka lejuar, inkurajuar dhe bekuar emërimin në detyra drejtuese në këtë sektor jetik, të shumë personave nga kontigjenti i tij i preferuar i të padiplomuarve, pazarxhinjve dhe të korruptuarve. U ka varur ujqërve të tij mëlcitë ne qafë dhe tani shkon dhe ua këkron qytetarëve”, tha ndër të tjera kryeopozitari. Në emër të Partisë Demokratike ai u premtoi qytetarëve se të gjithë ata pseudozyrtarë, taksidarë dhe sekserë që guxojnë të shkelin ligjin dhe që abuzojnë me të drejtat e tyre do të denoncohen brenda e jashtë vendit dhe do të përballen me ligjin. Basha tha se të gjithë ata që dhunojnë dhe abuzojnë me jetën, dinjitetin dhe pronën e qytetarëve shqiptarë, të gjithë ata që kanë shkelur dhe po shkelin ligjin dhe të drejtat e qytetarëve, nuk do të amnistohen kurrë dhe do të mbajnë përgjegjësi të plotë penale, morale dhe qytetare. Kreu i PD i bëri thirrje prokurorisë dhe gjykatave të vendit të mos tulaten nga presioni dhe kërcënimet e pushtetarëve të oligarkisë që sot qeveris vendin, por t’i përmbahen rigorozisht Kushtetutës dhe ligjit dhe t’i mbrojnë të drejtat e qytetarëve shqiptarë me të gjithë forcën që u jep ligji dhe shteti ligjor. Tahiri: Kur shteti punonte për një familje, ishte më mirë. S’ka faj që flet Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka reaguar ndaj deklaratës së kryedemokratit. Në një postim në profilin e tij në Facebook, Tahiri shkruan, “Kur shteti punonte për një familje, ishte më mirë. Pavarësisht se për famlijet shqiptare u kthye në një mejhane zhytur në informalitet, paligjshmëri e korrupsion. S’ka faj që flet”.
Ekskluzive/ Sa viza aprovoi dhe refuzoi Anglia për shqiptarët janar-shtator 2023
Për të njëjtën periudhë kohore për viza familjare aplikuan 1,365 shtetas shqiptarë. Në të gjitha deklarimet publike, kryeministri Anglisë Rishi...
















