Vendimet e gjyqtarëve dhe mënyra se si performon sistemi i drejtësisë vijon të jetë një “patate e nxehtë”, në marrëdhëniet e ministrit të Brendshëm me Presidentin e Republikës.
Pas një liste të disa muajve më parë, Saimir Tahiri, i ka vënë mbi tavolinë Bujar Nishanit, nje listë tjetër me mbi 30 emra gjyqtarësh që sipas tij kanë marrë vendime absurd dhe duhet të merren masa dispilinore ndaj tyre.
“Si është e mundur që KLD nuk merr masë ndaj një gjyqtareje që liron në sallën e gjyqit përdhunuesin e një minoreneje,” shkruan Tahiri në letrën e tij
Por pas denoncimit të Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, ka ardhur edhe reagimi i menjëhershëm i presidencës, duke siguruar ministrin e Brendshëm se këtë shqetësim do ja adresojë ministrit të Drejtësisë, si autoriteti i vetëm që njeh ligji për fillimin e masave disiplinore ndaj gjyqtarëve.
“Institucioni i Presidentit të Republikës do ta përcjellë këtë ankim tek Ministri i Drejtësisë duke i kërkuar këtij të fundit të kryejë me shpejtësi të gjitha verifikimet e nevojshme dhe si autoriteti i vetëm që ligji njeh për fillimin e masave disiplinore ndaj gjyqtarëve që shkelin ligjin, të fillojë procedimin disiplinor për të gjitha rastet e konstatuara me shkelje.”
Letërkëmbimi tashmë i kthyer në tradidë mes dy institucioneve vijoi, me një tjetër reagim të ministrit të Brendshëm, ku teksa ritheksoi rëndësinë e marrjes në shqyrtim dhe ndëshkimin e gjyqtarëve që riciklojnë kriminelët në shoqëri, tha se eshtë edhe loja përcjellëse e përgjegjësive, ajo që deri sot ka prodhuar këtë situatë skandaloze.
“Është edhe loja përcjellëse e përgjegjësive, ajo që deri sot ka prodhuar këtë situatë skandaloze, ku drejtësia blihet dhe shitet si mall tregu për më të fortin e më të pasurin. ?Ndaj më shumë se përcjellje postare, veprimi aktiv dhe në kohë, jo vetëm me përgjigje publike, por me marrje masash konkrete, është ajo që presin qytetarët,” shkruan Tahiri.
















