Gëzim Podgorica *
Vendimi i sotëm i Evropës, sa i papritur aq edhe paradoksal, sa i turpshëm, aq edhe tendencioz.
Gjithsesi Shqipëria përsëri ka fituar. Ka fituar mbi zyrtarët e korruptuar deri në palcë të UEFA-s , ka fituar pasi padrejtësinë e verifikuar publikisht në sytë e gjithëve gjë që nuk mund ta fshehin rreshtat e zinj të një vendimi.
Ka fituar Shqipëria pasi duke u viktimizuar padrejtësisht, opinion publik është i tëri në anën e saj, pavarësisht korridoreve ku prodhohen precedentët që e njollosin futbollin dhe i heqin atij motivin e madh mbi të cilin ai zhvillohet. Ne fituam jo vetëm në 41 minuta lojë e në gjithçka më pas, por fituam edhe me sfidën që aq mirë ditën të bëjnë djemtë e kombëtares shqiptare në një stadium të mbushur i tëri me urrejtje. Këtë nuk mund ta gjykojë e ta dënojë UEFA, pasi ajo nuk e ka në dorë. Këtë e di dhe e ka gjykuar një opinion i tërë i cili është shprehur në anën e shqiptarëve.
“No racism” është një logo hyrëse e ndeshjeve të futbollit që u luajtën për tre ditë me radhë në kompeticionet më të rëndësishme të Evropës e iniciuar nga UEFA. Por pas vendimit të sotëm kjo tregon se sa fallco është kjo logo, se sa të pavërtetë janë zyrtarët e saj, që përdorin jo dy standarde, por shumë më tepër se kaq. Ndërtesa e kristaltë e qeverisë së futbollit evropian, e kontestuar në shumë drejtime prej kohësh, sot ra për tú thyer e bërë copë –copë. Besimi tek drejtësia që jep ajo ka humbur prej kohësh, por me sa duket kishte nevojë për të rënë edhe tulla e fundit që e mbante.
* Gëzim Podgorica është drejtor i përgjithshëm i Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH)
















