Anëtari i KLD-së kundërshtoi prokurorinë që e mori të pandehur
Gjin Gjoni, gjyqtar në Apelin e Tiranës, anëtar në KLD dhe gjithashtu zëvendëskryetar i Konferencës Gjyqësore, është tërhequr nga padia që ka bërë në gjykatë, ku kundërshtonte prokurorinë duke përdorur precedentin e njohur në drejtësi si “Basha”. I pandehuri që vazhdon që të jetë në të tria postet kundërshtoi marrjen si të pandehur, shtyrjen e hetimeve, si dhe disa akte të tjera, duke “kopjuar” ish-ministrin e Transporteve, që falë procedurave i shpëtoi gjykimit për abuzimet e ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës. Burime nga Prokuroria e Elbasanit thanë se tërheqja e Gjonit nga padia, është bërë në fillim të kësaj jave duke sjellë kështu automatikisht vijimin e veprimeve hetimore për anëtarin e KLD-së, Gjin Gjoni, dhe bashkëshorten e tij, Elona Çaushi. Mësohet se gjyqtari shumë i përfolur ka zgjedhur të mbajë një qëndrim të drejtë ndaj hetimit të akuzës, duke mos nisur procedurat për prishjen e hetimeve të prokurorisë, në një kohë kur kjo e fundit ende nuk ka marrë vendimin për të dërguar apo jo dosjen në gjykatë. Më parë, kërkesa e Gjonit do të gjykohej nga gjyqtari Qani Hasa, i cili kishte konflikt interesi në gjykimin e kërkesës së bërë nga anëtari i KLD-së dhe gruaja e tij, Çaushi. Mësohet se Hasa që prej fillimit të korrikut është rikthyer nga KLD në detyrën e gjyqtarit në Elbasan, pas një periudhe të gjatë pezullimi si pasojë e nisjes së një procesi hetimor nga njësia Task-Forcë e Tiranës, për akuzën e korrupsionit.
Ndërkohë, pas tërheqjes së Gjonit, Prokuroria e Elbasanit ka afat deri në datën 12 nëntor që të përfundojë hetimet dhe të dërgojë në gjykatë çështjen ndaj Gjonit, duke e akuzuar për fshehje pasurie dhe pastrim parash. Denoncimi u bë nga ILDKPKI-ja, e cila radhiti disa episode, ku Gjoni dhe bashkëshortja e tij kishin fshehur biznese, të cilat nuk figuronin në deklaratat e pasurisë. Prokuroria thotë se jo të gjitha pretendimet e listuara në kallëzim qëndrojnë, ndërsa shton se ka faktuar akuzën e pastrimit të parave dhe fshehjes së të ardhurave. Hetimet u përqendruan te të dhënat e QKR-së, Tatimeve dhe Doganave, ndërsa të gjitha kontratat e zotit Gjoni apo bashkëshortes së tij janë verifikuar, ku dhe doli përgjegjësia penale e tyre. Sipas kallëzimit të ILDKPKI-së, Gjin Gjoni, dhe bashkëshortja e tij kanë fshehur katër kompani, gjyqtari ka 109 dalje jashtë vendit, pa deklaruar shpenzimet e tyre, ndërsa e shoqja, Elona Çaushi, ka një numër prej 127 hyrje-daljesh nga vendi. Disa javë më parë, Gjin Gjoni dhe bashkëshortja e tij, Elona Çaushi, janë marrë në pyetje nga njësia Task-Forcë, pranë Prokurorisë së Elbasanit, lidhur me procedimin penal të nisur ndaj tyre për akuzën e “fshehjes së pasurisë” dhe “falsifikimit të dokumenteve”.
















