Daut Dauti
Deri në vitet e 60-ta futbolli në Angli ishte “çështje e jetës dhe vdekjes”. Kur në vitin 1962 William Shankly mori në duar menagjimin e Liverpolit, gjithçka ndryshoi në këtë klub futbollistik. Liverpoli, deri atëhere, ishte një ekip i dobët që përballej me vështirësi serioze për të qëndruar diku kah fundi i tabelës në Ligën e Dytë të Anglisë. Po atë vit, klubi hyri në Ligë të Parë (Premiere League) dhe brenda një decenie fitoi dy herë titullin e kampionit të Anglisë (FA Cup) dhe një herë atë të Evropës (UEFA Cup). William Shankly e kishte vërejtur fuqinë mobilizuese që kishte futbolli në shoqëri dhe rëndësinë që filloi ta fitonte edhe në aspektin financiar të botës moderne që i kishte hyrë ndryshimeve të mëdha kah mesi i viteve të 70-ta. Duke i patur këto fakte parasysh, Shenkly, një ditë deklaroi:” Futbolli nuk është vetëm qështje e jetës dhe vdekjes por është më shumë se kjo”.
Ky definicion u aplikua edhe në Beograd me 14 tetor të këtij viti në stadiumin e Partizanit ku u ndeshën Serbia dhe Shqipëria. Deri në minutën 42, në stadium, futbolli ishte çështje e jetës dhe vdekjes. Kur një minut më vonë në stadium kërkonte zbarkim droni (për shkak të pamjes dhe efektit që krojoi duhet të quhet Albanodron), futbolli u bë më shumë se çështje e jetës dhe vdekjes. Nga ndeshja, e cila deri diku i përngjante sportit të futbollit, u kalua në përleshje fizike në të cilën, pos lojtarëve, në një mënyrë morën pjesë tërë ata që ishin në stadium dhe jasht tij. Brenda pak minutave tërë bota filloi të merret me efektin e paraqitur në Beograd.
Ajo që u vërejt në stadium, dhe jasht tij, ishte pamja “live” e Serbisë e cila tregonte se nuk ka ndryshuar nga koha e Millosheviqit por që tashti po merrte një formë të një rrezikshmërie të re. Mediat, tifozët, policia, sigurimi dhe zyrtarët shtetëror ishin bërë një – të gjithë huliganë. Ata kërkonin vrasjen e shqiptarëve, zbatimin e një kërkese të kahmotshme që është pjesë e programit të tyre politik. Ky nacionalizëm, i karakterit më primitv, kur ka përpara shqiptarët, bëhet edhe më agresiv.
Millosheviqi, sa ishte në pushtet, nuk merrej me sport. Ai këtë punë ua lente kriminelëve me firmë siq ishte Arkani. Tashti në Serbi, siq u pa, është bërë më rrezik pasi që edhe kryetari dhe kryeministri i këtij vendi u prijnë huliganëve. Kryeministri Vuqiq, pa marrë parasysh origjinën e tij nga paterniteti, ka qenë ndër udhëheqësit e huliganëve të Crvena Zvezdës i cili më vonë i qe bashkuar kriminelëve të Karaxhiqit në luftën e Bosnjës. Të kaluar më të mirë nuk ka patur as kryetari Nikoliq. Që të dy, sikur të jetonin në shtete normale, sot do të ishin në burg ose me ta do të merrej ndonjë nga zyret e shërbimeve sociale duke u munduar që t’i kthej në jetë normale.
Por, ja që nuk është ashtu dhe Serbia edhe një herë u kërcënohet shqiptarëve, Ballkanit dhe Evropës. Ky shtet disa herë ka shkaktuar luftëra, me krime dhe dëme të mëdha, por nuk është ndëshkuar asnjeherë për to. Në një mënyrë kjo ka ndikuar që shoqëria serbe të rrëshqas drejt një fashizmi të ri që po e kaplon tërë popullatën dhe që ka zënë vend në të gjitha zyret e shtetit të tyre. Shumë nuanca të këtij fashzmi u panë gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri.
Viteve të fundit, sidomos nga viti 1999, nacionalizmi serb nuk ka pas shumë fat në veprimet agresive ndaj shqiptarëve. Humbja e Kosovës, sidomos mënyra e humbjes, ka shkatuar trauma në mendjen nacionaliste primitive serbe dhe poshtrim në aspektin moral. Një poshtërim të madh serbët e përjetuan edhe natën kur ju shkoi në mes Albanodroni që u solli “dhuratën” më të urryer. Gjendja e tyre mentale dhe shpirtërore nuk e përballoi pamjen e flamurit shqiptar që paraqiste një Shqipëri etnike e cila qëndronte në mes dy udhëheqësve shqiptar dhe meritorë të pavarësisë së Shqipërisë.
Ende është enigmatike se kush dhe si e lansoi Albanodronin por kjo gjë, tashti pas paraqitjes së efektit, nuk ka shumë rëndësi. Serbët reaguan në mënyrë iracionale, mu ashtu siq është pritur prej tyre. Thellë në ndërdijen e tyre, serbët e mbajnë të feshur një faj të madh që ndjejnë ndaj shqiptarëve mbi tokat dhe mbi gjakun e të cilëve sot shtrihet territori i shtetit të tyre. Serbët i tmerrohen ditës së kthimit të borxhit dhe këtu duhet kërkuar gjenezën e urrejtjes që kanë për borxhliun. Prandaj, ata nuk e durojnë dot as pamjen e një qereku të çfarëdo flamuri shqiptar. Për serbët, në rastin më të mirë, shqiptarët duhet të jenë vetëm vazal të tyre ose të mos ekzistojnë fare. Në këtë pikë kot u dolën nacionalistëve serbëve në ndihmë disa “analista” shqiptarë të cilëve u erdhi keq që harta virtuale e Shqipërisë etnike ua lëndoi ndjenjat nacionalistëve serbë. Të shtyrë nga interesa të ndryshme, këta “analistë” (disa për shkak të obligimeve që kanë ndaj Serbisë, disa për t’i hyrë në hatër Evropës e disa edhe për shkak që janë mendje shtalb) nuk e shohin hartën e vërtetë (ekzistuese) të Serbisë së Madhe të cilën shqiptarët e durojnë që nga viti 1878.
Derisa futbolli shërbeu që tua nxirrte serbëve marifetin dhe të palarat në shesh në transmetim të drejtpërdrejtë televiziv, te shqiptarët pati efekt tjetër. Për shkak të këtij sporti shqiptarët u bashkuan si kurrë më parë duke tërhequr në mesin e tyre edhe skeptikët e fundit në Shqipëri, të cilët deri atë ditë hamendeshin nëse portretizimi i serbit ishte pamje i një vështrim të gabuar të shqiptarëve të Kosovës. Shqiptarët në Preshevë, Kumanovë, Prishtinë, Tiranë dhe Ulqin për herë të parë së bashku përjetuan, hidhërim, frikë, mburrje, gëzim e krenari. Lojtarët që përfaqësonin tërë hapësirën shqiptare, ishin të barabartë në fushë me kundërshtarët e tyre sa zgjati loja. Kur u sulmuan fizikisht, u mbrojtën me sukses. Po në këtë mënyrë e mbrojtën edhe flamurin që e konsideruan si simbol të sakrificës, të kaluarës, dinjitetit por edhe të ardhmes së tyre. Nuk duhet asgjë më shumë për të krijuar ndjenja dhe për t’i mobilizuar veprimet e përbashkëta nacionale.
Kombi shqiptar, i cili ka kohë që ishte në pritje të këtij momenti, në një masë të madhe, sikur edhe shumë kombe tjera, është krijuar dhe formësuar prej ndikimeve që vijnë nga jasht. Veprimi i nacionalizmit serb në këtë rast i shtyri të reagojnë shqiptarët, kudo që jetojnë, si një trup. Gjatë ditëve ardhshme zhvillimet politike ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës me Serbinë do të zhvillohen nën hijen e efektit që krijoi futbolli. Në një masë të madhe e ardhmja e shqiptarëve varet shumë nga qëndrimi dhe veprimet që do të ndërmarrin serbët ndaj shqiptarëve në të ardhmen. Loja futbollistike në Beograd ishte “luftë” e Shqipërisë me Sërbinë që bëhej për betejën e papërfunduar të Kosovës.
Ky nuk është lajm i mirë për ata që besojnë në ekzistimin e kombit kosovar dhe që angazhohen për konsolidimin e tij. Pa marrë parasysh mendimet kontradiktore që po paraqiten rreth Albanodronit, debati, në një anë, do të ndikoj në dhënien e një forme të re të kombit shqiptar apo farkimit të tij të mëtejshëm, kurse në anën tjetër do të nxjerr në shesh mungesën masive (popullore) të entuziazmit për mbrojtjen e kombit Kosovar i cili ende është në kërkim të hapësirës për zhvillim.















