Nga Fatos Daci*
Ngjarjet dramatike në stadiumin e Beogradit, ku u fyen rëndë Shqipëria dhe shqiptarët, dinjiteti dhe kombësia e tyre, ku u rrezikua seriozisht edhe jeta e ekipit tonë kuqezi, si dhe delegacionit të biznesmenëve dhe gazetarëve tifozë, që e shoqëronin, nuk ishte e papritur, nuk ishte rrufe në qiellin e kthjellët, por ishte gjithçka që mund të pritej. Antishqiptarizmi në stadiumin e “Partizanit” të Beogradit, pas atyre që ndodhën në ditët vijuese, nuk mund të shihet e gjykohet si veprim i pakontrolluar tifozësh ose turmash, por vërtetojnë se antishqiptarizmi është edhe politika qeveritare serbe. Në ditë e më pasme, kur kjo ngjarje mund të mbetej e izoluar, vetëm si një ngjarje në një eveniment sportiv, ndodhën plot të tjera ndodhi që vërtetojnë pa mëdyshjen më të vogël se ajo që ndodhi në stadium, ka prapavijë politike dhe shtetërore. Ditët më pas u godit ambasada shqiptare në Podgoricë. Në ditët e më pasme u vunë në rrezik dhe u dëmtuan pronat e shqiptarëve në qytete të tjera të Serbisë dhe të viseve me popullsi serbe në shumicë. Por, as kjo nuk do të ishte kambanë alarmi nëse drejtuesit më të lartë të shtetit nuk do të bënin deklarata plotësisht antishqiptare. Këtë e bëri kryeministri Vuçiç, këtë e bëra pa iu dridhur qerpiku dhe vetë presidenti serb, Nikoliç. Që të dy i rifyen rëndë shqiptarët dhe shqiptarinë. Në këtë situatë, nuk është e habitshme sikur të mendonim se ajo që ndodhi në stadium ishte e orkestruar nga qarqet më të larta shtetërore të Serbisë.
Përballë kësaj histerie antishqiptare, shqiptarët, politika dhe qeveritarët shqiptarë duhen përshëndetur për qytetarinë e tyre. Këtë situatë antishqiptare, politika dhe shteti shqiptar e përcollën me shqetësimin dhe mënyrën e duhur. Nuk e fshehën shqetësimin, as keqardhjen e preokupimin, por me gjakftohësinë e duhur. Si kryeministri Rama, ashtu dhe ministri i Jashtëm, Bushati, deputetë e politikanë shqiptarë, bënë diferencën qartësisht të dukshme, në krahasim me mënyrën shovene të drejtuesve më të lartë serbë. Këta tanët u sollën me mënyrën qytetare europiane, si europianë të vërtetë.
Ndërsa, sa për politikën serbe mund të thuhet se, sa ndryshojnë pikat e ujit, ndryshojnë udhëheqësit serbë të të gjitha kohërave për sa i përket antishqiptarizmit. Në shekullin e kaluar Çubriloviç kërkonte eliminimin e shqiptarëve. Sot, në vitin 2014, turmat kërkojnë eliminimin e shqiptarëve dhe politika e sotme serbe e mirëpret me gjakftohësi dhe e duartroket. Pashiç e Karagjergjeviç bënë luftë me shqiptarët. Vuçiç e Nikoliç duartrokasin antishqiptarizmin, në mos e nxitshin këtë antishqiptarizëm. Rankoviçi shfarosi dhjetëra mijëra shqiptarë, në Kosovë e viset e tjera të Ish Jugosllavisë. Sllobodan Millosheviçi vrau në mënyrë masive, me të njëjtën urrejtje e barbari qindra mijë shqiptarë të Kosovës dhe i varrosi në varre masive.
Këto ngjarje dhe reagime na bëjnë të shtrojmë pyetjen:A ishte ngjarja në stadiumin e Beogradit, në vitin 2014, një sjellje rastësore serbe? Përgjigja: Jo, dhe përsëri jo. Kjo është vijueshmëria e sjelljes dhe e veprimeve konkrete serbe për të vënë në jetë politikën e tyre antishqiptare. Në se do t’u referohemi ndodhive historike në marrëdhëniet mbi 100-vjeçare serbo-shqiptare do të arrinim lehtë në konkluzionin se asgjë nuk ka ndryshuar në platformën dhe devizën serbe. Asgjë nuk ka ndryshuar në koshiencën antishqiptare të serbëve. Asgjë nuk ka ndryshuar në format e metodat që kanë ndjekur qeveritë e qeveritarët serbë në këta 100 vjet. Po, një gjë ka ndryshuar. Ka ndryshuar koha për botën, por jo për serbët, se serbëve ora ju ka mbetur po te e njëjta ideologji antishqiptare. Edhe pse koha është njësi relative, ndryshon e evoluon, për serbët koha është njësi absolute, e pandryshueshme. Në kuptimin metaforik ora e serbëve ka mbetur e pandryshuar, ka mbetur në vend, ka mbetur më 1912, 1913, 1915, 1920, 1966, 1998-1999. Kjo ideologji dhe platformë antishqiptare është vënë në zbatimin në kohë të ndryshme, por me të njëjtat metoda, mjete e mënyra, me të njëjtin antishqiptarizëm, me të njëjtën urrejtje e histeri. Ama, lufta, barbaria dhe masakrat serbe mbi popullsinë shqiptare në trojet e veta, edhe pse kanë ndodhur në kohë të ndryshme, si: në vitin 1912, 1913, 1915, 1920, 1966, 1998-1999, apo në 2014, ato kanë pasur për bazë të njëjtën ideologji, të njëjtën histeri, të njëjtat mjete e metoda antishqiptare, si dhe kanë ndodhur në vijueshmëri, kohë pas kohe dhe asnjëherë nuk kanë qenë episode të izoluara.
Në fillimet e shekullit XX ishte Çubriloviç ai që solli në skenë politikën e pastrimit etnik dhe zhdukjen e shqiptarëve nga trojet e tyre në territoret e ish Serbisë, më vonë të Jugosllavisë dhe ato të Serbisë së sotme, të cilën e shpalosi së pari në Naçertanien e tij famëkeqe. Po këtë ideologji shpalosën, më 2014, 20 mijë serbë në stadiumin e Beogradit me thirrjet e tyre histerike “Vritni, vritni shqiptarët, që ata të mos ekzistojnë më”.
Ka plot dokumente të kohës që e dëshmojnë barbarinë serbe kundër shqiptarëve dhe sjellin shifra rrëqethëse të masakrave serbe mbi popullsinë e pafajshme shqiptare. Kudo që shkeli këmba e serbëve, ata dogjën e shkatërruan fshatra, të cilat i bënë shkrumb e hi, plaçkitën të gjithë fshatrat, plaçkitën të vdekur e të gjallë, ditën me diell vranë e therën me bajonetë burra e gra, edhe në sy të fëmijëve, në disa familje tre vëllezër e në të tjera dhe dy vëllezër, disa gra e disa fëmijë, hodhën të gjallë në zjarr burra, gra e fëmijë, si dhe hapur dhe pa e fshehur dorën vodhën gjithë bagëtinë dhe grabitën lira e para të tjera të fshatarëve dhe malësorëve.
Mizori të tmerrshme, therje me bajoneta, djegie të gjallë në zjarr, varje, vjedhje, djegie e plaçkitje të mëdha bënë në fshatrat dibrane nga Bulqiza në Kala të Dodës, nga Reka e Dibra e Madhe në Reç e Lurë.
E njëjta situatë u krijua edhe në Jugun e Shqipërisë nga grekët, të cilët në Gjirokastër e Kurvelesh 28 fshatra i shkatërruan plotësisht, në Tepelenë 29 fshatra i shkatërruan, në Përmet 26 i dogjën e i shkatërruan, në Korçë 14 i dogjën dhe i shkatërruan dhe në Kolonjë 19 fshatra i dogjën e i shkatërruan. Pra, edhe grekët, më 1913-1914, dogjën e shkatërruan 116 fshatra gjithsej. Ndërsa për ushtrinë pushtuese austriake dhe bullgare rezulton se rastet janë fare sporadike.
Një nga burimet e shumta, të cilat paraqesin këta masakra, barbarizma dhe plaçkitje në Dibër, më i besueshëm është një raport special i përpiluar 8 muaj më pas, në përfundim të një hetimi të hollësishëm që ka kryer një i dërguar i një Fuqie të Evropës.
Gjatë masakrave serbe të vitit 1913, në 88 fshatra, nga Bulqiza në Kala të Dodës u kryen masakra, barbarizma dhe djegie e plaçkitje. U plaçkitën plotësisht 35 fshatra, si : Sopoti, Shupenza, Qyteti i Dibrës së Madhe, Homeshi, Okshatina, Topojani, Golevishti, Zogjaj, Çereneci, Maqellara, Bllaca, Kllobçishti, Oboku, Pesjaka, Erebara, Kovashica, Majtara, Trepça, Rabdishti, Staraveci, Tomini, Bellova, Muhurri, Cerjani, Pilafet, Pollozhani, Limjani, Luznia, Peshkopia, Trepça, Dipjaka, Dardha, Shullani, Cereni dhe Vasiet. 35 fshatra të tjera u dogjën plotësisht, u bënë shkrumb e hi. Në këtë kohë u dogjën gjithsej 1346 shtëpi. U vranë gjithsej 986 veta , nga të cilët me bajoneta 844 veta. Në sy të fëmijëve u vranë 53 veta. Në 12 raste u vranë dy vëllezër së bashku, pra, 24 veta. Në 11 raste u vranë njëherësh babë e bir, pra, 22 veta. Mes tyre u vranë edhe 27 gra. Fëmijë të vrarë pati gjithsej 16, prej të cilëve 9 u hodhën të gjallë në zjarr (mes tyre dy vajza të vogla), 4 gra u hodhën të gjallë në zjarr, 2 burra u hodhën të gjallë në zjarr, 1 grua tjetër u ther, u mbytë n poshtërsisht 4 veta, u varën 3 të tjerë.
Për 9 vjet luftë të dibranëve me serbët (1912-1921), për sa u takon masakrave dhe gjenocidit shfarosës të popullsisë së pafajshme ndër gra, foshnje e pleq, kemi këto të dhëna :
Mënyra e të vrarëve dibranë nga forcat serbe :
- Të therur me thikë 263 69 75 407
- Me plumb 341 78 65 484
- Të djegur në zjarr 109 256 138 503
- Shuma 713 403 278 1394
Statistika pasqyron barbarinë e shovinistëve serb dhe gjenocidin e pashembullt të tyre në Evropë, ku nuk kursehen nga thika edhe gra e fëmijë.
Për masakrën serbe, në viset shqiptare, në një raport të Ministrisë së Brendshme, jepen të dhënat e mëposhtme:
Shuma e të mërguarve nga lufta në Dibër 55.068 persona
Gratë të mërguara prej luftës 23.348 “
Prej këtyre fëmijë të moshës 1-10 vjeç 10.844 “
Të vdekur nga plagët në moshën 1-10 vjeç 192 “
Të vdekur nga sëmundjet 589 “
Gra të vdekura nga plagët 363 “
Gra të vdekura prej sëmundjeve 1.245 “
Burra të vdekur në luftë 4855 “
Statistika e dëmeve në popullsinë shqiptare të shkaktuara nga ushtria serbe në periudhën 1912-1920, është si më poshtë :Shtëpi të djegura 2657,të vjedhura e të grabitura këto produkte bujqësore:misër e grurë kg. 9.535.880, dyqane 95,mullinj 83, xhami të djegura e të shkatërruara 25 dhe teqe të djegura dhe të shkatërruara 5. Bagëti të marra forcërisht 54.880 krerë, prej të cilëve ishin: kuaj 1327 krerë, qe e lopë 4546 krerë, dhen e dhi 49.007 krerë.
Çfarë ndodhi më 1966 nga bandat e Rankoviçit. Mijëra shqiptarë të pafajshëm u pushkatuan me gjyqe politike e akuza të montuara e dhjetëra mijëra të tjerë u vranë tinëzisht. Çfarë ndodhi dhe më 1998-1999 në Kosovë? Me pikë e me presje u zbatua e njëjta strategji. U vranë në mënyrë masive dhe u varrosën në varre masive qindra mijëra shqiptarë, shumë prej të cilëve edhe sot nuk u janë gjendur as eshtrat. Më 1913 ushtria serbe plaçkiti gjithë gjënë e gjallë, që gjeti në Lumë e në Dibër. Ja disa shifra: Bagëti të grabitura: Dele 12. 496 krerë, dhi 5 899 krerë, lopë 1 466 krerë, qe(buaj) 1 256 krerë, kuaj 702 krerë, gomarë 48 krerë, mushka 30 krerë, gjithsej 21897 krerë. Po më 1998-1999 vodhën e bastisën të gjithë shtëpitë kosovare, pasi larguan me forcë banorët shqiptarë nga shtëpitë e veta. Po sot, në 2014, dogjën e shkatërruan dyqane shqiptarësh në vise, ku banojnë shqiptarë në Serbi e në Mal të Zi.
Më 1913 forcat serbe detyruan 120 mijë dibranë të ikin nga vatrat e shtëpitë e tyre dhe të largohen në Çermenikë, Mat, Elbasan, Martanesh dhe Tiranë, prej ku prej tyre një pjesë e madhe nuk kthyen më. Kjo ishte shpërngulja më madhe e më masive e shqiptarëve në trojet e tyre. Po në vitet 1998-1999 ç’ndodhi? Jo më 120 mijë shqiptarë, por plot 1.5 milionë shqiptarë të Kosovës u detyruan përsëri nga forcat ushtarake e paramilitare serbe që të braktisnin shtëpitë e pronat e tyre dhe erdhën refugjat në Shqipëri, ku gjetën mikpritjen më të ngrohtë e më vëllazërore. Vetëm falë kontributit dhe ndihmës ushtarake të Amerikës dhe NATO-së këta shqiptarë fatkeq të Kosovës, me mbarimin e luftës dhe pastaj rrëzimin e Millosheviçit, mundën të rikthen në vatrat e tyre. A ndryshoi gjë këtu? Asgjë nuk ndryshon, përveçse vitit, kohës kur ndodhi boshatisja e fshatrave shqiptare.
Qëllimi i të gjithë këtyre masakrave e barbarive, vrasjeve e therjeve të shqiptarëve ka qenë shfarosja e shqiptarëve dhe lirimi i territore shqiptare për t’u populluar rishtas nga banorë serbë, pra, pushtimi i tokave shqiptare. Po, sot, në 2014 çfarë shprehin hapur serbët :Vritni, vritni shqiptarët, që të mos ekzistojnë më!” Asgjë, pra, nuk ndryshon përveç faktit se këto synime janë gjallëruar e janë riaktivizuar në kohë e vite të ndryshme.
Historia e marrëdhënieve serbo-shqiptare është një histori e mbushur me konflikte, por në asnjë rast shqiptarët nuk kanë agresor ndaj serbëve, por gjithnjë serbët kanë qenë agresorë ndaj shqiptarëve dhe shqiptarët kanë qenë përherë viktima të serbëve. Me mënyrat dhe metodat e tyre, serbët dhe Serbia, ashtu si dhe Jugosllavia, kur ekzistonte, për të siguruar epërsinë dhe gjendjen në favor të tyre, kanë synuar dhe ia kanë arritur që të kontrollojnë edhe politikën dhe qeveritë shqiptare. Serbët jo vetëm sollën me ushtri, armatime e para të tyre Zogun në fronin e tij, por ata themeluan dhe PKSH dhe injektuan Enver hoxhën në krye të saj. Ka dyshime të forta se Serbia (edhe ish Jugosllavia) ka kontrolluar edhe politikën e pas vitit 1991, kur u rrëzua komunizmi. Ndofta, Serbia, ka mundur të kontrollojë edhe segmente të politikës shqiptare të mëvonshme. Mediet kanë bërë publike shuma marramendëse që Serbia planifikon në buxhetin vjetor të saj për spiunazhin në Shqipëri. Sipas këtyre medieve, dikur, shuma e parave,që nga Serbia vihej në dispozicion të spiunazhit për llogari të saj në Shqipëri është publikuar 10 milion dollarë. Pastaj kjo shumë u publikua në 100 milion dollarë dhe tani mund të ketë kaluar edhe mbi 100 milion dollarë në vit. Në se kjo ndodh me të vërtetë, kot i jep Serbia këto miliona dollarë? Badihava i marrin këto para edhe agjentët e veglat e tyre? Jo, as Serbia nuk i jep kot gjithë këto para, por pa i justifikuar nuk i marrin dot as agjentët e saj, shqiptarë apo të huaj qofshin.
Po, si mund të kalohet kjo situatë? Unë mendoj se rruga europiane e Shqipërisë, e Kosovës dhe e viseve të tjera me popullsi kompakte shqiptare, është rruga më normale. Por, shqiptarët, kudo ku ndodhën, duhet, doemos të shtrëngojnë radhët e të forcojnë marrëdhëniet ndër veti, ndërsa politika zyrtare e Tiranës, Kosovës dhe e partive politike shqiptare në Mal të Zi e Maqedoni, nuk duhet të jetë më pasive, por duhet të tjerë shumë aktive, ashtu si është dhe ajo e Beogradit. Shqiptarët, politika dhe qeveria shqiptare nuk janë më para veprimeve “nën rrogoz”. Atëherë, as kundërveprimi shqiptar nuk mund të jetë më “nën rrogoz”, pa e përjashtuar asnjëherë as këtë rrugë, të njohur e të pranuar në të gjithë marrëdhëniet ndërkombëtare, edhe nga qeveri e shtete të mëdha e të vogla.
Sa për debatin nëse Edi Rama duhet që të shkojë në Beograd, apo jo, unë dua të sjell në vëmendje përvojën e shkuar shqiptare në marrëdhëniet mes individëve, fiseve e krahinave. Asokohe, kur ndodhte ndonjë gjë, që ishte në kundërshtim me marrëdhëniet mes familjeve apo individëve, deri edhe vrasje, të zotët e shtëpisë së dëmtuar, burra me autoritet, apo burra të tjerë me autoritet e me fjalë të peshuar nga fise të tjera merrnin shkopin e shkonin drejt e te kundërshtari dhe ia thoshin drejtpërdrejt kundërshtitë e mospranimin. Ia thoshin ballë për ballë e sy më sy ato që ai apo ata u kishin bërë dhe kërkonin dhe të drejtën e tyre pa iu dridhur fare qerpiku. Pse të mos aplikohet dhe kjo normë edhe në marrëdhëniet në mes shteteve. Dhe shembull, edhe në këtë drejtim, unë mendoj se, duhet marrë përsëri politika amerikane. Pse shqiptarët të mos e aplikojnë më këtë mënyrë? ! Edi Rama duhet të shkojë në Beograd, por pasi të marrë masa serioze jo vetëm sigurinë e tij, por dhe autoritetin e nderin e Shqipërisë që përfaqëson.
* Anëtar i Përhershëm i Akademisë Amerikano-Shqiptare të Shkencave dhe Arteve
















