|
Partia Demokratike i ka bërë thirrje Serbisë të ndalojë sulmet barbare ndaj pronës dhe jetës së shqiptarëve që jetojnë në shtetin fqinj. Deputeti demokrat, Aldo Bumçi, nëpërmjet një deklarate për mediat ka theksuar se autoritetet e Tiranës dhe Prishtinës duhet të bëjnë gjithçka për mbrojtjen e interesave të bashkëkombasve tanë në Serbi.
“U bëjmë edhe një herë thirrje autoriteteve serbe së pari të marrin të gjitha masat për ndaljen e sulmeve barbare ndaj jetës dhe pronës së shqiptarëve që jetojnë në Serbi dhe të ndëshkojnë përgjegjësit pa hezitim. Autoritetet serbe kanë përgjegjësinë e madhe për të ndalur përshkallëzimin e mëtejshme të situatës dhe rikthimin e normalitetit. Ne i bëjmë gjithashtu thirrje autoriteteve në Tiranë dhe Prishtinë që të bëjnë gjithçka në mbrojtje të jetës dhe interesave të bashkëkombasve tanë që jetojnë në Serbi. Tirana dhe Prishtina duhet të ndërmarrin një aksion diplomatik për të njoftuar institucionet ndërkombëtare dhe partnerët tanë kryesorë për zhvillimet e fundit në Serbi dhe cënimit që i bëhet me këtë sjellje frymës së bashkëpunimit dhe arritjeve të jashtëzakonshme që janë shënuar deri më sot”, deklaroi Aldo Bumçi, deputet i PD-së. |
















