Në një deklaratë për mediat Aleanca KuqeZi ka deklaruar se Edi Rama duhet të anulojë vizitën e tij në Serbi. Sipas kreut të AK-së, Kreshnik Spahiu kryeminstri shqiptar, Edi Rama ka vendosur të vizitojë shtetin më bllokues të interesave dhe të zhvillimit të kombit tonë.
Ak-ja, ka nënvizuar se me vizitën e tij në Beograd, Rama bëhet kryeministri i parë që refuzon ëndrrat e një Shqipërie natyrale.
Më tej, Spahiu ka bërë me dije se Serbia është bërë bllokada kryesore e integrimit të shqiptarëve në Europë. “Serbia nuk njeh pasaportën e Kosovës dhe nuk lejon 2 milion shqiptar të lëvizin të lire”-citohet nga deklarata e tij.
Gjithashtu, kreu i AK-së ka trumbetuar me të madhe kundërshtimin e një vizite të tillë, jo se jemi kundra fqinjësisë së mirë mes shtetit shqiptar dhe atij serb, por mendojmë se ka ardhur koha të nxjerrim mësim nga pësimi- nënvizon Spahiu gjatë deklaratës.
Sipas Aleancës KuqeZi, qeveria serbe refuzoi dy ditë më parë hyrjen e çdo shqiptari në Beograd për të ndjekur ndeshjen Serbi-Shqipëri dhe i mbylli kufijtë e saj për gjithë kombin shqiptar, por jo për Edi Ramën.
Sipas, Saphiut kryeministri shqiptar nuk mund të kaloj atë kufi në emër të miliona shqiptarëve që janë të padëshiruar për Serbinë.
“Nëse Serbia mbylli kufijtë për shqiptarët atëherë ne duhet të mbyllim kufijtë për kryeministrin që shkon në emër të shqiptarëve. Aleanca KuqeZi e konsideron vizitën e 22 tetorit në Beograd të kryeministrit Rama të papranueshme dhe jashtë interesave të kombit shqiptar”-thotë kreu i AK-së, Kreshnik Spahiu.
Më tej, ai ka theksuar se Kosova është Shqipëri dhe JO zemra e Serbisë.
Ndër të tjera, Spahiu ka thënë se i bëjmë thirrje kryeministrit të shtetit shqiptar të mos vizitojë Beogradin, pasi Serbia nuk ka hequr dorë nga e kaluara dhe para së gjithash kërkon me çfarëdolloj mjeti të mbrojë pretendimet e saj për Kosovën, në dëm të gjitha interesave të kombit shqiptar.
“Shqiptarët duhet ta dinë se Edi Rama, është i vetmi lider, pas Enver Hoxhës që guxon të vizitojë shtetin më antishqiptar. Eshtë koha që xhelati të kërkojë falje dhe jo viktima”- përfundon deklaratën e tij për media kreu i AK-së, Kreshnik Spahiu















