Libri i autorit Virgjil Kule “Gjergj Kastrioti Skënderbeu-Kryqtari I fundit”, si objekt shqyrtimi dhe analizimi, ka një periudhë dhe një figurë kyç jo vetëm për historiografinë shqiptare, por edhe për atë evropiane.
Pra bëhet fjalë për kohën, kur vendosej për ardhmërinë jo vetëm të arbërorëve, dhe që nuk kishte të bënte vetëm me një rezistencë të armatosur ndaj një pushtuesi tjetër potencial, por të një përballje me një armik, që pos okupimit, sillte një mënyrë tjetër jetese, dhe që për më tepër me religjionin e ri perandorak, pra islamin, ajo rrënonte çdo botëkuptim moral dhe religjioz që të krishterët kishin mbi jetën e përditshme dhe mbi botën e amshueshme.
Fillimisht autori ndalet në shpjegimin “Devshirmesë”, që në periudhën në fjalë paraqiste procesin, që Virgjil Kule shumë mirë e krahason me fenomenin modern të “Mbledhjes së Trurit”, por që natyrisht sot zhvillohet në baza krejtësisht vullnetare, ndërsa në kushtet dhe rrethanat mesjetare të Perandorisë Osmane, ky koncentrim i talenteve imponohej forcërisht.
Pra fenomeni i grumbullimit të fëmijëve të krishterë dhe shkollimi I tyre për t’u aftësuar për ushtarakë dhe administratorë, tregon vetë thelbin e filozofisë vepruese të kësaj perandorie. Në të vërtetë, si në çdo organizim tjetër shtetëror mesjetar, edhe kjo perandori lindore mbështetej në religjion, por për ndryshim nga Evropa e krishterë, ajo forcën vepruese dhe motivimin për zgjerim dhe pushtet e gjente në besimin e superioritetit të islamit mbi krishterimin.















