Të gjithë e dinë se Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike rreth 40% të energjisë e humbet në rrjet, pra jo pak, por rreth 140 milionë euro në vit, nga të cilat 80 milionë euro janë humbje për shkak të vjedhjes.
Pse duhet të këshillohet shtrenjtimi i energjisë, që do të diskriminojë konsumatorët që paguajnë energjinë? Pse konsumatorët që paguajnë duhet të paguajnë edhe më tepër, ndërsa ata që s’paguajnë të vazhdojnë të vjedhin e të mos paguajnë? Klodian Muço në një shkrim te gazeta Shqip propozon këtë zgjidhje.
Është e vërtetë që nuk është e thjeshtë të ulen humbjet dhe të evitohen vjedhjet në një vend si Shqipëria, por gjithsesi ka zgjidhje edhe kjo gjë.
Ekzistojnë për shembull sistemet e pagesës së energjisë elektrike me anë të kartave elektronike. Pra sahatet Power Pay me anë të të cilëve energjia elektrike paguhet, siҫ mund të paguhet karta rimbushëse e një telefoni celular. Ky sistem, jo vetëm që është shumë i lehtë dhe transparent për klientët, por eviton 100% humbjet në rrjet, pasi energjia që konsumohet parapaguhet. Nëse nuk paguan, nuk mund ta konsumosh atë. Për më tepër, është shumë cilësore edhe për menaxhimin e mirë të ngarkesës. E gjitha kjo nuk është as fantashkencë as superteknologji. Këto lloje sahatesh nuk janë fare të shtrenjta. Nëse bëni një kontroll të thjeshtë në çfarëdo lloj siti e-commerce, do vëreni se vlera e këtyre sahateve varion nga 20$ deri në 150$. Këto lloje sahatesh kanë filluar të përdoren gjerësisht nga operatorët turistikë, për t’u bërë të mundur klientëve që të paguajnë aq energji sa konsumojnë në shtëpitë që marrin me qira për të kaluar pushimet.
Vallë pse këto institucione të huaja që kanë dëshirën e mirë të ndihmojnë Shqipërinë nuk i këshillojnë apo t’i vënë si kusht që nga kredia që japin të blihen sahate me karta rimbushëse dhe nuk ka nevojë që të rritet ҫmimi i energjisë. Nëse evitohen humbjet, që siҫ e përmenda, jo vetëm që evitohet kjo rritje që dëmton konsumatorët dhe ekonominë e vendit, por shpëton njëherë e përgjithmonë sistemin e shpërndarjes së energjisë elektrike nga kolapsi.















