Kryeministri Edi Rama në tryezën e sotme për reformën e Drejtësisë tha se thuajse 90% shqiptarë besojnë se në Shqipëri nuk ka drejtësi dhe se sistemi i drejtësisë nuk funksionon.
“Janë afro 90% e shqiptarëve që përgjithësisht janë shumë herë të përafruar në qasje të çështjeve të tjera dhe të ndarë qartë në çështje të ndryshe dhe besojnë se në Shqipëri nuk ka drejtësi dhe se sistemi nuk funksionon. Janë 90% e shqiptarëve që thonë se sistemi i drejtësisë është i korruptuar dhe se për të fituar një gjyq nuk është sesa ke të drejtë, por sa para ke për të paguar. Janë mbi 90% e shqiptarëve që thonë se duhet një operacion rrënjësor për sistemin e drejtësisë dhe praktikisht për ç’rrënjosjen e kancerit që e ka mbërthyer sistemin e drejtësisë.
Dhe nuk e teproj kur them se janë 100% të partnerëve ndërkombëtarë që nuk besojnë se në Shqipëri nuk ka drejtësi dhe që besojnë se në Shqipëri drejtësia është e korruptuar. Dhe nuk kam më të voglin dyshim se është e rrallë sot që një vend në mes të Europës që sa herë komentohet nga partnerët nga opinionistë, komentohet si një vend më drejtësi thellësisht të korruptuar. Nuk gaboj kur them se ata që na shohin këtu të mbledhur ne njerëz të drejtësisë, na shohin më shumë si pjesë të problemit se e pjesë të zgjidhjes”, tha Rama.
















