Sëmundja e deleve e njohur si “Gjuha e kaltër” e cila është paraqitur kohëve të fundit në vendin tonë, nuk paraqet rrezik për njerëzit e as për kafshët tjera shtëpiake ka bërë të ditur veterineri Shaban Gollopeni.
Ai ka thënë se kjo është një sëmundje virusale e cila vjen përmes pickimit të insekteve nga kafshët e infektuara.
“Gjuha e kaltër është sëmundje virusale e shkaktuar nga insekte të gjinisë kolikoide ku në natyrë kemi mbi 1400 lloje të këtyre insekteve dhe kushtet klimatike të favorshme me lagështi ka bërë që kjo sëmundje të përhapet përmes këtyre insekteve. Transmetimi i kësaj sëmundje bëhet përmes pickimit të insekteve të infektuara në kafshët e infektuara, nuk ekziston kalimi nga kafsha në kafshë apo edhe nga kafsha në njeri. Prej këtyre specieve që i kemi në kafshët shtëpiake vetëm delet tregojnë shenja të qartë dhe të sëmundshmërisë por edhe të ngordhshmërisë, shumë më rrallë dhitë ndërsa lopët rrallë ose hiq”, ka deklaruar ai.
Sipas specialistit për sëmundjet e kafshëve, Shaban Gollopeni, asnjëherë nuk ka ndodh që nga ky virus të preken edhe njerëzit.
“Deri më sot nga kjo sëmundje nuk kemi asnjë të dhënë, jo këtu por në vende të botës që është e njohur si sëmundje e gjuhës së kaltër, do të thotë zonozë por deri më sot asnjë herë nuk e kemi që është prekur si rezultat i sëmundjes gjuha e kaltër, nuk ka asnjë rrezik por duke i parë çdo ditë tv dhe gazetat krijohet një rrezik se mund të sëmurën edhe njerëzit, absolutisht nuk ka raste që preken njerëzit nga kjo sëmundje, normalisht kafshët e prekura nga kjo sëmundje nuk janë të shëndetshme për konsum sepse kanë temperaturë dhe nuk i ka mishi kualitetet sikur është një mish i freskët i një kafshe të shëndetshme”, ka thënë ai.
Një gjë të tillë e ka bërë të ditur për KosovaPress edhe zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës së Kosovës (AUVK), Lamir Thaçi, i cili ka thënë se deri më tani në Kosovë janë regjistruar mbi një mijë raste të prekura me këtë sëmundje.
“Ne i kemi afërsisht diku 1120 krerë dele të cilat kanë qenë si të dyshuara për prezencën e sëmundjes së gjuhës së kaltër, në secilin rast kur na kanë njoftuar fermerët apo veterinare që ne i kemi kontraktuar nëpër komuna, ne me inspektorët tonë i kemi inspektuar të gjitha këto ferma, kemi marrë mostra prej këtyre të gjithë krerëve të deleve dhe tek shumica e tyre kaun rezultuar pozitive me prezencën e sëmundjes së gjuhës së kaltër. Përveç kësaj ne kemi dërguar mostra edhe në laboratorin në Angli sipas Udhëzimit Administrativ janë mostra konformative, pra që e kanë konfirmuar prezencën e kësaj sëmundjeje dhe edhe këto kanë rezultuar pozitiv dhe kjo është një sëmundje që ka prekur gjithë rajonin, jo vetëm vendin tonë, është sëmundje që kryesisht ka ardhur si rezultat i kushteve klimatike që kanë mbizotëruar këto ditë, ka një lagështi të madhe dhe në të njëjtën kohë ka edhe nxehtësi që e ka mundësuar zhvillimin insekteve të familjes kolikoidos që është një bartës kryesor i kësaj sëmundje që shkakton sëmundje që shkakton ngordhje tek delet”, ka thënë ai.
Thaçi ka thënë se ky virus i prek edhe kafshët tjera shtëpiake siç janë dhitë dhe gjedhet por tek to nuk shkakton efekte anësore.
Ndërkohë, sipas tij, sëmundja shkakton dëme ekonomike tek fermerët por asgjë më shumë, kurs në disa raste mund të shërohen varësisht nga faza në të cilën janë.
Por, Thaçi ka shtuar se AUVK nuk e ka ndaluar therrjen e deleve në prag të kurban Bajramit, vetëm se ka bërë thirrje që ato të kontrollohen paraprakisht.
“Kryeshefi ekzekutiv e ka nxjerrë një vendim para 2 jave me të cilin e ka ndaluar lëvizjen dhe tjetërsimin e pronarëve të këtyre fermave. Do të thotë parashihet që kafshët të mos lëvizin nga fermat të cilat janë të prekura sepse mund të jenë si bartës të sëmundjes që prapë do të thotë insekti i bartë nga kafsha tek kafsha dhe me këtë vendim nuk nënkupton që ne e kemi ndalu therrjen, tani në festë therrjen e kurbaneve por të gjitha therjet duhet të bëhen të kontrolluara, do të thotë secila kafshë që tregtohet duhet të jetë e pajisur me certifikatë shëndetësore nga veterinari, po ashtu thjerra duhet të kryhet në thertore të licencuar sepse në të kundërtën edhe është therrje ilegale por edhe është therrje e cila mund ta rrezikoj shëndetin publik”, ka deklaruar ai.
Në Kosovë, rasti i parë i regjistruar më virusin “Gjuha e Kaltër” është shënuar në vitin 2000 në Komunën e Shtërpcës.
Ndërkohë, këtë vit janë prekur më shumë delet nga komunat që janë në vijë kufitare me Serbinë dhe Maqedoninë pasi që burimi i virusit ka ardhë nga këto shtete, mirëpo me këtë sëmundje tashmë janë prekur delet nga e gjithë Kosova.
Mirëpo, edhe përkundër këtyre deklarimeve, shitësit e deleve thonë se sivjet nuk kanë pas interesim nga qytetarët që të blejnë kurban në prag të festës së Kurban Bajramit, e cila edhe simbolizohet me prerjen e kurbanit.
Tahir Tahiri nga Podujeva ka thënë për KosovaPress se sot nuk pati interesim nga qytetarët për blerje të kurbaneve, edhe pse për këtë festë ai i kishte në shitje rreth 70 krerë dele.
“Megjithëse unë në treg sot jam dalë për herë të parë, po shihet që tregu është përplot por të interesuar ende, sigurisht se është herët, mirëpo çmimet janë, varijojnë 100-120, kurbani mesatar. Nuk e di paksa është , këto deklaratat e mëhershme që ishin sipas neve janë pak të fryra, ndoshta diku ka pas por malli është i shnosh, janë të vaksinuara, numrat i kanë tash te shohim. I kemi kontrollu, nuk ka rrezik dhe në qoftë se doni i kam edhe vërtetimet e veterinarit i kam, do të thotë janë të kontrolluara, mirëpo nuk e di tash a ka qenë propagandë e fryre a çka megjithëse ka ndikuar kjo tek blerësit ka ndikuar që për mendimin tim nuk është e drejtë”, ka thënë ai.
Ndërkohë, tregu i deleve në dalje të Prishtinës, rruga për Podujevë, në ditën e premte ishte përplot me dele të cilat ishin përgatitur për Kurban Bajram, por shitësit ankoheshin se nuk po ka interesim për një gjë të tillë.
Çmimi për një dele në këtë treg sillej nga 100 deri në 200 euro
















