Partia Demokratike reagoi sot lidhur me letrën e dërguar nga mazhoranca parlamentare në adresë të opozitës për refermimin e AMA-s dhe RTSH-s.
Sipas demokratëve, kjo është një tjetër tentativë e shumicës për të kontrolluar institucionet e pavarura.
“Disa deputetë të mazhorancës, anëtarë të Komisionit të Medias, i janë drejtuar opozitës me një letër ultimatum, për atë që ata e quajnë “reformimi i AMA-s dhe RTSH”.
Kjo s’është gjë tjetër vecse një tjetër tentakulë e oktapodit Rama-Meta drejt këtyre institucioneve të pavarura.
Ka qenë insistimi i opozitës në komision, për arritjen e një formule për zgjedhjen e anëtarëve të AMA-s dhe RTSH, por mazhoranca nuk ka pasur asnjëherë qëllim funksionimin e këtyre institucioneve, por uzurpimin dhe nënshtrimin e tyre ndaj klientëve të vet mediatikë.
Ka mëse një vit që opozita kërkon plotësimin e 3 vendeve vakante për anëtarë të AMAs, por mazhoranca kishte si qëllim vetëm heqjen e kryetares së institucionit”, u shpreh deputeti i PD, Luçiano Boçi.
Në letër, tha Boçi, mazhoranca shprehet e shqetësuar për afatet e dixhitalizimit, në një kohë që vetë ajo dhe klientët e vet mediatikë, e kanë pezulluar atë.
“Kjo vetëm për arsyen e dorëzimit të drejtimit të AMA-s ortakut të vet mediatik.
Ndërkohë për Bordin e RTSh pasi, u arrit gojarisht konsensus për proceduren, maxhoranca refuzoi ta miratonte formulën përkatëse në mbledhjet e 3 e 7 korrikut, duke kërkuar kohë pa fund për reflektim.
Pasi mazhoranca u bë qesharake me 2 amendamente, 3 memo dhe 2 vendime antiligjore e antikushtetuese për të uzurpuar AMA-n, me një skemë të mirëkoordinuar me klientët e vet mediatikë, arriti ta pezullojë padrejtësisht nga detyra kryetaren e AMA-s”, deklaroi deputeti demokrat.
Njëkohësisht, duke folur në emër të PD-së, Boçi theksoi se “opozita nuk mund të marrë pjesë në farsat e çiftit Rama-Meta që duan të kapin institucionet rregullatore të medias, duke vënë kështu nën kontroll e terror gjithë operatorët mediatikë!”.
















