Dje u publikua video e dhunës në parlament që përfshiu deputetët e mazhorancës Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu ndaj deputetit demokrat Gent Strazimiri. Në pamjet e regjistruara nga një prej kamerave të sigurisë së Kuvendit të Shqipërisë, shihen deputeti socialist Ndoka dhe Ndreu që godasin në korridor deputetin Strazimiri.
Në një reagim për mediet nga zyra e shtypit i kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë thuhet se, pamjet nuk janë “shpërndarë” nga ky institucioni.
“Kuvendi i Shqipërisë dëshiron të sqarojë opinionin publik lidhur me videon e incidentit të ndodhur në sallën e seancave plenare në muajin korrik, të transmetuar nga mediet televizive dhe online. Kuvendi distancohet nga publikimi dhe shpërndarja e kësaj videoje në media”, thuhet në reagim.
Por si ka ndodhur? Nga administrata e Kuvendit të Shqipërisë mund të ketë pasur rrjedhje të videos. Por, duke qenë se videoja është publikuar pikërisht ditën që prokuroria publikoi akuzat për deputetët socialistë, ka dyshime të forta se mund të ketë qenë prokuroria ajo që ka shpërndarë pamjet.
Deputetët Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu janë marrë në cilësinë e të pandehurve, pasi akuzohen për veprën penale të “Goditjes për shkak të detyrës”, parashikuar nga neni 237 i Kodit Penal, në dëm të shtetasit Gent Strazimiri, me funksion deputet.













