Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri deklaroi dje se në 6 muajt e fundit janë asgjësuar 6.4 miliardë euro drogë. Në një konferencë të organizuar për këtë çështje, ku morën pjesë edhe ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Italisë, Tahiri ngriti pikëpyetje mbi destinacionin e parave të drogës ndër vite. “Ku kanë shkuar në të kaluarën kaq shumë para? Unë e kam një përgjigje. Për të furnizuar botën e krimit. Për të krijuar mbretërinë e aseteve kriminale. Për të korruptuar drejtësinë. Për të korruptuar politikën. Të gjitha bashkë, për të dërrmuar demokracinë dhe shtetin ligjor, për të mbajtur në këmbë informalitetin dhe korrupsionin, për të ndërtuar një shoqëri të deformuar, jo të barabartë dhe as të drejtë”,-tha ministri i Brendshëm në fjalën e tij. Megjithatë, ai shtoi se ky rrezik vazhdon të mbetet ekzistent për demokracinë dhe sundimin e ligjit në të ardhmen. Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu tha se gjithçka në luftën kundër drogës ishte një vullnet politik dhe jo, siç ia kishin paraqitur më parë, një çështje teknike. “Lazarati është një prej atyre gjërave që me këdo kam biseduar, më kanë thënë është problem, por s’mund të bëjmë dot asgjë për ta zgjidhur. Unë thosha, po pse jo? Dhe nuk kam marrë kurrë një shpjegim. M’u desh pak kohë për ta kuptuar se nuk ishte çështje teknike, por ishte çështje e vullnetit politik. Duke u kthyer në retrospektivë, duhet të vlerësojmë planifikimin që u krye, pa të vrarë”, – tha Arvizu. Në operacionin antidrogë, Shqipëria u ndihmua nga ‘Guardia di Financa’, e cila monitoroi ekzaktësisht nga ajri, ku ndodheshin parcelat e drogës. “Janë bërë 39 fluturime dhe u identifikuan 800 plantacione me kanabis përveç Lazaratit. Pas rezultateve të fluturimeve, policia shqiptare ndërhyri në të 800 këto plantacione dhe të dhënat ishin të sakta për 770 prej tyre, të cilat u shkatërruan. Ky mision monitoroi edhe Lazaratin dhe në sajë të dhënave të sakta mundi të çojë policinë në vendet e duhura”, – u shpreh ambasadori italian, Massimo Gaiani. Në gjashtë muajt e fundit u shkatërruan 2214 parcela droge, u asgjësuan 530 mijë e 177 rrënje, u bllokuan 101.7 ton marijuanë, u shkatërruan 41 grupe kriminale, u arrestuan 1058 persona dhe u proceduan penalisht 9 të zgjedhur vendorë. Por ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri tha se ka ende shumë për të bërë. “Për një luftë absolute me drogën dhe paratë e pista të botës së krimit kemi ende shumë për të bërë. Do vazhdojmë të mos lejojmë asnjë rrënjë kanabis, por njëkohësisht, të marrim në hetim pasurinë e pashpjegueshme dhe të pajustifikuar, deri në sekuestrimin e aseteve kriminale, veçanërisht aseteve të vëna nga mbjellja dhe trafiku i drogës”, – premtoi ai në fund të fjalës së tij.
Operacionet antidrogë
2214 Parcela të shkatërruara
798 Parcela të identifikuara nga Interforca
530 177 Bimë të asgjësuara
101.7 TON Marijuanë e kapur
62 KG Heroinë
23 KG Kokainë
6.4 miliardë lekë Vlera monetare














