Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka thënë se opozita duhet të jetë në Parlament dhe se betejat me mazhorancën duhet të bëhen po këtu.
“Unë mendoj që në një republikë parlamentare, institucioni i Kuvendit është mjaft i rëndësishëm. Mendoj që qytetarët kanë votuar që opozita të jetë në Parlament dhe ne nuk mund të lëmë që ky institucion shumë i rëndësishëm të uzurpohet, pavarësisht nga rrugët dhe mënyrat që përdor mazhoranca. Ne duhet të jemi aty që të ballafaqohemi me mazhorancën në mënyrë të drejtpërdrejtë. Në momente të caktuara ne mund të marrim qëndrime për të sensibilizuar opinionin vendas dhe atë ndërkombëtar, por është e domosdoshme që betejën ta bëjmë aty. Asnjë gjë nuk e zëvendëson punën e deputetëve në Komisione dhe debate ne Kuvendin e Shqipërisë”, u shpreh Mediu për mediat. Mediu i ka kërkuar kreut të Kuvendit Ilir Meta që të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, që ka të bëjë me ndërtimin e Komisioneve Hetimore. Kjo sipas tij, është mënyra më e mirë për të ndërtuar një marrëdhënie me Kuvendit që i shërben qytetarëve, por edhe mundësive që duhet t’i jepen opozitës.
“I kërkoj kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, që të respektojë kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Ai ka autoritetin, si kryetar i Kuvendit, kryetari i Konferencës së Kryetarëve që të fusë në axhendë zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, që kanë të bëjnë me një nga funksionet kushtetuese që ka parlamenti, që është ndërtimi i Komisioneve Hetimore. Ne po kërkojmë që të ndërtojmë një raport me Kuvendin që i shërben qytetarëve dhe padyshim hapësirave që duhet të ketë opozita që i janë dhënë me ligj dhe kushtetutë”, ka theksuar Mediu.















