Korrupsioni dhe pasiguria në miniera rrezikon përjashtimin e Shqipërisë nga Organizata Ndërkombëtare për Industrinë Nxjerrëse EITI. Deklarata është bërë dje nga deputeti Eduart Shalsi, njëherësh kryetar i Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, në mbledhjen e këtij komisioni. Gjatë diskutimit për amendimin e ligjit për sektorin minerar në vendin tonë, kreu i komisionit, i ka bërë apel Ministrisë që të veprojë sa më parë për të ndryshuar situatën. Deputeti socialist deklaroi se në miniera ekziston një situatë barbare, ku ndodhin aksidente me pasoja fatale për njerëzit, si pasojë e keqshfrytëzimit të burimeve njerëzore. “Me diskutimin e këtij ligji kemi kërkuar edhe një analizë të jo thjesht të mënyrës si shfrytëzoheshin, por rëndom kemi parë edhe aksidente me pasoja fatale nga keqshfrytëzimi i burimeve natyrore. Shqipëria është anëtare e një inisiativë shumë interesante që quhet EITI, transparencë në industritë nxjerresë dhe disa muaj më parë rrezikonim përjashtimin ose mosanëtarësimin si pasojë e mosplotësimit e kritereve që kishin të bënin me transparencën në industritënxjerrëse dhe transparenca nuk do të thotë gjë tjetër, por vetëm të dhënat e sakta të kompanive që shfrytëzojnë minierat në Shqipëri”, tha Shalsi.
Diskutimet
Ligji për sektorin minerar në vendin tonë është shoqëruar me diskutime në mbledhjen e Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin. Deputeti Besnik Bare, deklaroi se në një prej neneve të këtij ligji, krijohet mundësia për korrupsion. Ndërsa deputeti Ilir Xhakolli, kërkoi që minierat të dalin në ankand, çka do t’i jepte mundësi qeverisë shqiptare që të merrte shpenzimet e kryera. Më tej, pas disa ndryshimeve në ligjin për sektorin minerar në Shqipëri, komisioni e miratoi në parim për ta kaluar më pas në seancën plenare të ditës së enjte. Ndryshimet e sjella për ligjin minerar në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese synojnë që të rrisin transparencën në këtë sektor duke i dhënë fund shfrytëzimit të galerive pa kriter si dhe të ofrojnë më shumë kushte sigurie për punëtorët.
Projektligjet
Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miratoi më tej, projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së garancisë sovrane dhe të zhdëmtimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, bankës Vseobecna Uverova Banka A.S, Sllovaki dhe Intesa Sanpaolo Bank Albania,sh.a., për kundërgarancinë e bankës Vseobecna Uverova Banka A.S.,Sllovaki, për marrëveshjen e garancisë bankare,ndërmjet Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike,sh.a., dhe bankës Vseobecna Uverova Banka A.S., Sllovaki, dhe për marrëveshjen e huasë ndërmjet Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, sh.a., dhe Intesa Sanpaolo Bank Albania, sh.a””. Të ftuar në komisione ishin zëvendësministri i Energjisë, Ilir Bejtja, i cili ashtu sikurse në Komisionin e Ekonomisë sqaroi se do lëshohet garanci për OSSHE prej 83 milion euro. Ai sqaroi se marrëveshja është bërë me bankën sllovake. Ndërkohë, z. Bejtja bëri të ditur se është paguar kësti i parë i dëmshpërblimit për CEZ. “Impakti i kësaj kredie në buxhetin e shtetit është 0. Kërkohet garancia si mbulim. Pagesat janë të ndara në 5 këste, një e paguam”, shtoi Bejtja.
Marrëveshja me CEZ
Në datën 23 qershor 2014, është nënshkruar marrëveshja për zgjidhjen me mirëkuptim të mosmarrëveshjeve të krijuara mes kompanisë CEZ dhe qeverisë shqiptare. Kjo marrëveshje përmban disa kushte të nevojshme, përmbushja e të cilave kushtëzon hyrjen në fuqi të saj. Kostot e kësaj garancie do të përballohen nga buxheti i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (njohur më parë si CEZ, Shpërndarje). Kjo marrëveshje garancie sovrane nuk i referohet një transaksioni ekonomik mbi të cilin lindin detyrime tatimore.














