Nacionalistët në Skoci kanë humbur, por Skocia dhe demokracia kanë fituar. Europa mund të marrë tani frymë lirisht
Ishte interesante deri në fund në çështjen emocionale, nëse Skocia do të bëhej një shtet i pavarur apo do të mbetej pjesë e Britanisë së Madhe. Në fund fitoi arsyeja politika ndaj pasionit nacional, kjo madje me një kuotë më të lartë nga sa pasqyrohej në sondazhe. Skocia me këtë vendim duhet uruar, sepse gjithçka tjetër do të kishte qenë një aventurë, pasojat e së cilës për Britaninë e Madhe si edhe për fqinjët europianë do të kishin qenë të rënda. Skocia si shtet i pavarur do të kishte mbetur pa mbrojtjen e Mbretërisë së Bashkuar e ndoshta edhe pa solidaritetin e Bashkimit Europian. Britanisë së Madhe do t’i duhej të ripërkufizonte rolin e saj në Europë dhe në botë dhe si shtet ndoshta do të copëzohej tërësish. Por Europa s’ka nevojë për një kthim prapa në shtetet e vogla të shekullit të kaluar. Përkundrazi: për të janë të nevosjhme bashkëpunimi dhe integrimi në nivel europian. Skocezët ndryshe nga pjesa tjetër e britanikëve janë më shumë dashamirës ndaj Europës. Kmapi i atyre që thanë “Po” donte të qendronte në Europë. Por do të ishte ironi e historisë, nëse Skocisë pas disa vjetësh si pjesë e Britanisë së Madhe do t’i duhet të shkëputej nga BE-ja – sepse referendumi për këtë pritet të zhvillohet. Mbetet që edhe për këtë çështje të shpresohet, se do të fitojë arsyeja dhe se Britania e Madhe me Skocinë do të mbeten në BE. Me interes janë edhe zgjedhjet për dhomën e ulët të parlamentit në Britaninë e Madhe pranverën e ardhëshme, zgjedhje këto që dominohen prej çështjes po ose jo ndaj BE-së. Referendumi në veriun kryeneç të mbretërisë do të ketë efektin e vet. Nëse gjysma e Skocisë do të kishte votuar për pavarësinë, kryeministri konservator David Cameron do të duhej të jepte menjëherë dorëheqjen. Tani ai ka edhe një shans, që deri në zgjedhjet në maj 2015 të përballet me rrymat e forta anti-europiane. Skocezët në Britaninë e Madhe nuk nënvleftësohen, siç pretendonte kampi pro-pavarësisë gjatë fushatës elektoale. Qeveritë konservatore, veçanërisht ajo e Margaret Thatcher, i kanë shkaktuar dhimbje Skocisë me një traditë të fortë socialdemokrate, por ka pasur edhe skocezë në të kaluarën që kanë qenë kryeministra në Downing Street Numër 10. Sot Skocia sa u përket të ardhurave mesatare është në nivel më të lartë se pjesë të tjera të Britanisë së Madhe dhe papunësia është më e ulët. Skocia ka një qeveri të fortë rajonale dhe parlamentin e vet. Madje asaj do t’i jepen edhe të drejta më të zgjeruara. Kryeministri Cameron në panik në fund të fushatës premtoi, ndaj tani ai duhet ta verë në jetë premtimin. Në Britaninë e Madhe do të duhej të ishte zhvilluar me kohë një debat i mirëfilltë për ndërtimin e një shteti federal, edhe nga Anglia dhe Uellsi vijnë kërkesa për më shumë pavarësi rajonale. 18 shtatori e ka ndryshuar Britaninë e Madhe. Referendumi skocez në vetvete ishte një triumf për demokracinë. 86 përqind ishte pjesëmarrja në të, një vlerë absolute rekord. As që bëhet fjalë për gjurmë të ndonjë veljeje nga politika, skocezët në mënyrë shembullore u angazhuan për çështjen e tyre, pavarësisht nëse u shprehën pro ose kundër pavarësisë. Humbësi i referendumit, kryeministri skocez Alex Salmond, e pranoi dështimin. Por fituesit nuk triumfojnë. Të dyja palët duan të krijojnë “një ekip Skocia”, që të pajtuar ta shfrytëzojnë në dobi vrullin që i solli referendumi veriut të stuhishëm të Britanisë. Ky qendrim demokratik duhet të shërbejë si shembull për të tjera lëvizje pavarësie në Europë apo diku tjetër: Kështu siç veproi Skocia tani, funksionojnë proceset demokratike. Votimi tregoi, se ndenjat nacionale nuk duhet të kthehen në nacionalizëm destruktiv. Kësisoj Skocia ka fituar, edhe pse pavarësia shtetërore dështoi.
Edhe mbretëresha, e cila natën e gjatë elektorale e ndoqi nga kështjella skoceze Balmoral, mund të jetë tani e qetë. Në moshën e thyer asaj nuk iu desh të përjetojë situata siç kanë kaluar paraardhësit e pasardhëset e saj. Rreth 60 territore janë shkëputur në 250 vjetët e fundit nga perandoria. Skocia do të kishte qenë veçanërisht e dhimbshme për mbretëreshën.
Intervista/Elmar Brok: “E gjithë Marrëveshja e Asociimit me Ukrainën hyn në fuqi”
Kryetari i Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Europian, Elmar Brok, në një intervistë për Dojçe Velen, shpjegon se si do të zbatohet Marrëveshja e Asociimit mes BE-së dhe Ukrainës
Pjesa politike e Marrëveshjes së Asociimit mes Ukrainës dhe BE-së pritet të hyjë në fuqi në nëntor të këtij viti pas ratifikimit të saj nga Parlamenti Europian dhe Parlamenti i Ukrainës të martën. Ndërsa pjesa ekonomike e kësaj marrëveshjeje – marrëveshja për tregtinë e lirë – është shtyrë për në fund të vitit 2015. Çfarë do të thotë kjo për Ukrainën?
Kjo marrëveshje nuk është shtyrë. Një marrëveshje vendoset, zbatimi i saj pason në pjesë të caktuara teknike në mënyrë asimetrike. P.sh. produktet doganore në BE do të vazhdojnë të jenë pa doganë, ashtu siç ndodh në rastin e zbatimit provizor të marrëveshjes. Por Ukraina mund të vazhdojë të vendosë doganë për produkte të caktuara. Zbatimi realizohet hap pas hapi, ndërsa i gjithë procesi hyn në fuqi – pra pa kufizime dhe dallime.
Për shumë ukrainas një vendim i tillë ishte surprizë. Përse u vendos kjo pikërisht tani?
Për këtë është folur në Newport, gjatë samitit të NATO-s më 4 – 5 shtator. Për këtë janë zhvilluar bisedime. Ne edhe në samitin e BE-së në qershor nisëm të shqyrtojmë mundësitë. Me një zbatim të plotë të menjëhershëm p.sh. fuqia ekonomike e sipërmarrjeve europiane mund të shkaktojë dëme për ekonominë ukrainase. Ndaj sipërmarrjet ukrainase në kuadër të procesit te transformimit kanë kohë që të përgatiten në sektorë të caktuar, për të forcuar aftësinë konkurruese.
Çfarë duhet të ndodhë në këto 15 muaj në Ukrainë deri në zbatimin e plotë të marrëveshjes së tregtisë?
Ukrainasit duhet t’i përmbahen procesit të transformimit – p.sh. të përshtasin ligjet e tyre fiskale dhe doganore. Edhe ne kontribuojmë, që procesi i transformimit të mos ngadalësohet. Por njëkohësisht nga ana jonë është një ndihmë edhe se ne nuk këmbëngulim, që të gjitha këto të bëhen menjëherë. Dua ta sqaroj këtë me një shembull nga e kaluara: Përderisa në vitin 1991 u shpërbë Bashkimi Sovjetik, planet e ekonomisë gjermano-lindore deri në vitet 1994-1995 për furnizimin e mallrave të caktuara në Bashkimin Sovjetik, nuk qëndronin më, kësisoj ekonomia gjermano-lindore nuk ishte në gjendje t’i bënte ballë konkurrencës dhe u shkatërrua. Një gjë e tillë përmes këtij procesi nuk mund të ndodhë sot me Ukrainën.
Pra zbatimi i marrëveshjes hap pas hapi është në favor të Ukrainës?
Po.
Cilat janë avantazhet dhe disavantazhet për BE-në?
Ne për arsye të situatës në Ukrainë – luftë dhe influencë ruse – kemi hequr dorë prej avantazheve, që do të kishim duke e lënë që kjo të hyjë në fuqi më vonë. Ukrainasit mund të vazhdojnë të kërkojnë doganë në mbrojtje të ekonomisë së tyre, ndërsa ne nuk do të mund të vendosim doganë.
Rusia mund të shprehë rezerva të tjera kundër Marrëveshjes së Asociimit. A mund ta rrezikojnë ato marrëveshjen?
Jo, ky proces është i mbyllur. Dhe rusët e kanë pranuar këtë. Ata kanë qenë të pranishëm në bisedime. Marrëveshja hyn në fuqi. Ajo do të zbatohet hap pas hapi, ashtu siç ndodh me shumë marrëveshje të tjera. Parë në aspektin ligjor marrëveshja e plotë me të gjitha detajet hyn në fuqi. Por shpesh ka rregulla të përkohshme. Kjo është pjesë e zakonshme e punës.















