Të gjitha strukturat e policisë së shtetit të Qarkut Kukës kanë kaluar në gatishmëri të lartë dhe në shërbim të përforcuar teksa pritet ardhja e Papa Françeskut në Tiranë.
Mësohet se në gatishmëri të lartë kanë kaluar edhe pikat e kalimit kufitar. Strukturat e kufirit dhe policisë së Kukësit janë duke bashkëpunuar edhe me Policinë e Kosovës dhe shërbimet intelegjente të saj.
Po ashtu, agjentë të shërbimeve të posaçme të Kosovës dhe Shqipërisë kanë zbarkuar në pikat e kalimit kufitar. Në pikën e kalimit kufitar të Morinës ku edhe lëvizja e shtetasve kosovarë dhe të huaj për të hyrë në Shqipëri është më e shpeshtë, Policia e Rendit dhe ajo Kufitare po mbështetet edhe nga grupet e Forcave Speciale.
Në këtë pikë kufitare po kontrollohet çdo gjë me imtësi Sipas policisë këto struktura janë vendosur për monitorimin edhe kontrollimin e vijës së parë dhe të dytë te kufirit me Kosovën. Edhe patrulla të veçanta të Policisë Rrugore dhe grupe te gatshme te Policisë së Shtetit po patrullojnë në Rrugën e Kombit dhe po ushtrojnë kontrolle në postoblloqet e ngritura për këtë qëllim.














