Katër ministrat e fundit të Qeverisë Rama, kanë dorëzuar mandatin e deputetit në kryesinë e Kuvendit duke iu bashkuar në këtë mënyrë dhe ministrave të tjerë që tashmë kanë vetëm postin në qeveri.
Ministri i Financave Shkëlqim Cani, i zgjedhur në qarkun e Dibrës. Ministri i Industrisë dhe Energjitikës Damian Gjiknuri, i zgjedhur në qarkun e Elbasanit. Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati, i zgjedhur në kryeqytet.
Pasi dorëzimi i mandateve të kalojë në procedurat parlamentare dhe në Këshillin e Mandateve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t’i zëvendësojë me emrat pasues në listën e Partisë Socialiste në zgjedhjet e fundit parlamentare.
Kështu mandati i Saimir Tahirit i kalon Erjeta Allhyses, ai i Ditmir Bushatit i kalon Ervin Bushatit. Këto sipas përllogaritjeve që KQZ ka ndjekur për zëvendësimin e mandateve dhe për ministrat e tjerë, të cilët më herët kanë dorëzuar mandatin. Mandati i Shkëlqim Canit i kalon Ezmerina Hoxhës. Pavarësisht se në listë i treti është Hasan Ceni, ai nuk e përfiton mandatin pasi ky qark është gjobitur kohë më parë nga KQZ për mosrespektim të kuotës prej 30 % për kandidatet femra, sikundër dhe subjektet e tjera zgjedhore.
Sa i takon zëvendësimit të mandatit të Damian Gjinkurit dhe ai i shkon një femre. Ajo është Luljeta Arapi, pavarësisht se në listë kandidati mashkull pasues pas Musa Ulqinit është Arben Kamani.
Kështu, pasi KQZ të marrë në shqyrtim zëvendësimin e mandateve, në parlament do të futen tre deputete femra duke iu shtuar në këtë mënyre deputeteve të tjera që përfaqësojnë partitë politike në Kuvendin e Shqipërisë.














