Xhabir AHMETI
Sa punëtori që e ka lënë shëndetin e vet duke ndërtuar hekurudha, ndërtesa, ura, duke punuar nëpër miniera e fabrika pa kushte, sa zejtarë, sa mësues, profesorë, gazetarë, mjekë, gastarbajterë e kanë investuar rininë dhe jetën për të mirën e vendit dhe për një të ardhme më të lumtur të fëmijëve dhe nipërve të tyre, nuk dihet. Ka pasur midis tyre edhe heronj në kuptimin e vërtetë të fjalës. Njerëz që e kanë sakrifikuar veten për të mirën e përgjithshme. Për çështjen kombëtare. Për zhvillimin ekonomik të këtij vendi, zhvillim i cili do ta ndalte rrjedhën marramendëse emigruese të rinisë sonë dhe të njerëzve më të aftë, që të mos kthehen kurrë aty ku “balta është më e ëmbël se mjalta”. Ku janë vallë ata? Ata burra e ato gra fisnike ose kanë ndërruar jetë ose kanë mbetur ta kalojnë pleqërinë në halle të papërshkrueshme dhe të harruar, në hapësirën e zymtë të anonimitetit. Kush mërzitet për ta? Kush çan kokë për ta? Pse janë hedhur kështu pa mëshirë në humnerën e harresës kolektive? Unë për vete nuk e di të jetë organizuar një ditë në të cilën do të përkujtoheshin, bie fjala, mësuesit më të mirë shqiptarë në Maqedoni, shkrimtarët më të mirë të kësaj hapësire që kanë shkruar shqip dhe kanë qenë mburojë e gjuhës shqipe, njerëzit fisnikë të të gjitha profesioneve që janë kalbur nëpër burgjet e Goli Otokut, të Zabelës, Nishit, Idrizovës e shumë burgjeve të tjera me fajin e vetëm: pse kanë dashur barabarësi me të tjerët. Ne nuk kemi data (përveç Ditës së alfabetit) në të cilat do të festonim çaste nga e kaluara jonë e rëndësishme historike. Madje edhe datat nga e kaluara e përbashkët historike me maqedonasit nuk trajtohen si të tilla. Ne jemi të përjashtuar nga ato data. Krejt lavdia është hedhur në terrenin maqedonas. Dhe, askush nga ata që kanë pushtet nuk bën zë për këto punë. Nuk bën sepse i kanë “punët” e tyre në hapësirën e bizneseve partiake e personale që ua kanë lënë ata që japin liri me doza, me bona e me taçka. As ata që rrinë ulur nëpër kolltukët e akademive të shkencave e arteve dhe të instituteve e që merren me kulturën, gjuhën dhe historinë shqiptare nuk organizuan ndonjë projekt më serioz për këtë çështje. Nuk bënë asgjë për këta njerëz që e bënë të kaluarën tonë të jetë krenare, nuk e lëvizën as gishtin e vogël t’i nxjerrin nga errësira e anonimitetit të gjithë ata burra e gra që e nderuan popullin tonë me veprat e tyre. Ata burra e gra shqiptarë që e kanë shkrirë veten si qiriri i Naimit duke u djegur që “të na japin pakëz dritë” nuk e meritojnë errësirën që ua kanë falë faktorët politikë e shtetërorë të shtetit tonë “ku të gjithë i paskan të drejtat e barabarta”… Së paku t’i përjetësonin duke i pagëzuar rrugët, sheshet, urat e shkollat me emrat e tyre. Një përpjekje ka pasur para dy vjetësh. Por kjo përpjekje mbeti shterpë. Ja se çfarë shkruan në një të përditshme të përditshme maqedonase nga viti 2012 shkruan: “Më shumë se 1.000 emra rrugësh, sheshesh dhe urash në Shkup do të jenë në lojë për ndërrim të emrave duke u thirrur në burime të Kuvendit të Qytetit të Shkupit. Midis propozimeve rreth 100 janë emra të personaliteteve dhe të ngjarjeve të rëndësishme për shqiptarët, ndërkaq pritet që të kalojnë mbi 200 propozime. Nëse partnerët e koalicionit VMRO DPMNE dhe BDI merren vesh mes vetes, atëherë metropoli shpejt do të fitojë emra “kornize” të rrugëve, të shesheve dhe të urave”… (E shihni sarkazmin: “emra kornize”!). Nejse. Nga njëmijë emra që duhej ndërruar njëqind i paska propozuar partia jonë në pushtet, BDI-ja. Me gjuhën e statistikës nga 1000 kemi 100, pra – rrafsh 10 për qind, që do të thotë se këto shifra nuk i përgjigjen as të dhënave statistikore që flasin për përqindjen e popullsisë shqiptare në Shkup. Sipas këtyre të dhënave shqiptarët e përbëkan 13,5 për qind të popullsisë së kryeqytetit. Në qoftë kështu, atëherë deputetët tonë do të duhej ta arrinin këtë përqindje të banorëve dhe të “nxjerrin” 13,5 për qind të emrave të rrugëve, shesheve e urave të Shkupit. Nëse ka sot plot emra nga historia serbe, nëse ka plot emra të komunistëve, e kaluara e të cilëve nuk dihet mire, atëherë pse mos të ketë 13,5 për qind emra të kaluarës shqiptare, emra që dihet se janë emra të njerëzve të cilët kanë një të kaluar të pastër. Po mos ta zgjasim. Jo, 13,5 për qind, por ne nuk kemi dëgjuar të jetë bërë ndonjë ndërrim emrash as të një përqindjeje krejtësisht të imtë. Nuk kemi informacione për ndërrim emërtimesh. Madje mund të mos jetë ndërruar asnjë emër, se po të kishte ndodhur diçka e tillë mediat maqedonase do të kishin shkruar ose do të kishin folur me vite për “emërtimet e kornizës”, ndërsa mediat shqiptare, në mos tjetër, do ta kishin shënuar me ndonjë artikull për pagëzimet e rrugëve me emra të rëndësishëm nga e kaluara jonë. Mediat maqedonase do të kishin material “interesant” sepse do të bëhej diçka e “veçantë”, thuajse “ekskluzive” dhe thuajse “e pakuptueshme” për publikun maqedonas që nuk është mësuar t’i marrë e t’i trajtojë shqiptarët si pjesë të realitetit të këtij vendi të vogël e me halle shumë. Dhe, ky shkrim nuk e ka qëllimin të akuzojë, por thjeshtë është një pyetje e një qytetari të zakonshëm: çfarë bëjnë ata shqiptarë që janë në pushtet për mbrojtjen e dinjitetit të shqiptarëve, ata të cilët e kanë marrë votën tonë dhe janë zotuar se do t’i mbrojnë interesat tona? Pse heshtin kur injorohet historia jonë, kultura jonë, duke injoruar emrat e shumë njerëzve tanë, të këtij nënqielli që meritojnë të ruhen amshueshëm në kujtesën kolektive të shqiptarëve? Rezultatet e punës së politikanëve shqiptarë nuk flasin për ndonjë sukses, për diçka që kanë bërë ata lidhur me avancimin e të drejtave tona të natyrshme. Prandaj them se edhe në fushën e mbrojtjes së krenarisë sonë nga e kaluara e afërt e shqiptarëve në Maqedoninë e kohës së ish Jugosllavisë, duke u sjellë kështu me papërgjegjësi ndaj gjuhës, kulturës dhe historisë sonë, më shumë na kanë injoruar vetë përfaqësuesit tonë. Unë për vete mendoj se edhe rrahja që ndodhi në Kuvendin e Republikës ndërmjet deputetëve të partive shqiptare ishte edhe një injorim i paparë elektoratit të vet të partive shqiptare.
















