Objektet e kultit në vend që gëzojnë statusin monument kulture janë cilësuar si pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore.
Prej vitesh këto objekte të kultit të shpallura monumente të kulturës janë përfshirë herë pas here në projekte të ndryshme të restaurimit, por nuk kanë qenë të pakta dhe dëmtimet apo shkatërrimet që kanë pësuar ndër vite nga pakujdesia, nga mungesa e ruajtjes si duhet, mungesa e restaurimeve, etj. Trashëgimia kulturore që është cilësuar shumë e rëndësishme gjithashtu kërkon fonde jo të vogla për restaurimet, konservimet, etj.
Ministria e Kulturës për shkak dhe të buxheteve që janë problematike nuk ka pasur mundësi që të kryejë e vetme restaurimin në objektet e kultit, ndaj herë pas here janë realizuar dhe bashkëpunime për restaurime. Vetëm disa kohë më parë nga Ministria e Kulturës u bë e ditur dhe ndihma që ka dhënë për restaurimin e xhamive, objekte të kultit të shpallura monument kulture Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA).
Këtë vit bashkëpunimi me TIKA-n ka marrë në vëmendje xhami të njohura në vend dhe të shpallura monument kulture. “Nënshkruam marrëveshjen e rëndësishme me TIKA-n lidhur me ndërhyrjet fizike për mirëmbajtjen e monumenteve historike dhe kulturore në qendrën historike të Gjirokastrës, që arriti një projekt prej 1 milionë eurosh. Falë ndihmës dhe bashkëpunimit me TIKA-n janë përfshirë në projekt restaurimi objektet e kultit monumente të kulturës si Xhamia e Ethem Beut në Tiranë, xhamia e Beqarëve në Berat, xhamia Mbret në Berat, xhamia e Muradies në Vlorë si dhe Teqeja Helvetie”, bëjnë të ditur pranë Ministrisë së Kulturës në lidhje me këto restaurime.
Në dikasterin ministror pohojnë se restaurimet tashmë kanë filluar në disa prej këtyre objekteve të kultit të shpallura monument kulture, si në xhaminë e Ethem Beut në Tiranë apo në një prej xhamive në Berat që janë pjesë e këtij projekti. Sa i takon listës së xhamive që do të jenë në restaurim, xhamia e Ethem Beut është e vetmja xhami e mbetur nga 20 të tilla të periudhës otomane.
Themelet e para të kësaj Xhamie janë hedhur në vitin 1791, nga Mulla Beu. Sipas specialistëve të ministrisë çdo punim do të kryhet sipas normave të caktuara. “Punimet kanë nisur në Berat apo dhe në xhaminë e Ethem Beut në Tiranë. Këto punime restauruese që po kryhen nga specialistët patjetër që do të jenë në përputhje me objektet e kultit, do të jenë restaurime që do ti përshtaten këtyre objekteve dhe do të realizohen sipas kushteve që duhen”, bëjnë të ditur specialistë pranë MK.
Restaurimi i objekteve që i përkasin periudhës otomane
TIKA ka financuar restaurimin e objekteve që i përkasin periudhës otomane në shumë vende të Ballkanit gjatë viteve të fundit, në përpjekje për të mbrojtur identitetin arkitekturor të këtyre objekteve, të cilat shumë shpesh janë rrezikuar nga restaurimet e pakujdesshme për nevojat e ditës. Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) edhe më herët ka nënshkruar marrëveshje me ish Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për financimin e restaurimit të pesë xhamive që i përkisnin periudhës së sundimit Osman dhe që janë edhe objektet më të rëndësishme të kësaj periudhe historike.
Lajmi atë kohë u bë i ditur nga vetë MTKRS. Sipas kësaj marrëveshje që u nënshkrua më 2012, xhamitë e përzgjedhura për t’iu nënshtruar restaurimit ishin xhamia në Kalanë e Prezës, xhamia në Pazarin e Krujës, xhamia e Nazireshesë në Elbasan, xhamia e Plumbit në Berat dhe xhamia e Iljaz Bej Mirahorit në Korçë, ndërsa kostoja totale e realizimit të këtyre 5 projekteve arrinte sipas MTKRS në rreth 4 milion euro. Restaurimi i këtyre 5 xhamive monument kulture ishte vetëm faza e parë e projektit pasi në bashkëpunim më TIKA-n është rënë dakord edhe për një fazë të dytë, e cila do të përfshinte të tjera monumente kulturore, ashtu si dhe po vijon tashmë ky bashkëpunim i dikasterit ministror.
















