Intervista e së martës mbrëma e ish-kryeministrit Berisha në Neës 24 për kolegen Eni Vasili ishte kirurgjikale. Një Berishë më të kujdeshëm, e njëherësh më të clirët, nuk ia siguroje dot syve edhe sikur të ktheheshe në majëmajën e ditëve të tij politike: vitin 1992. Se si dhe pse mbërriti një Berishë i tillë në një skenë mediatike dhe teatër politik ku skajojnë tërbimi dhe përshtjellimi, një Zot e di. Por, portreti i (vetë)restauruar i Berishës, sidomos pas ca daljeve bizare në plazhin e Gjirit të Lalzit me një ‘popull’ edhe më të thjeshtë, edhe më kurioz se c’janë të gjithë popujt, na shërben një lehtësim, qoftë edhe të përkohshëm, për të kapur tekstin dhe nëntekstin e situacionit politik. (Për të kujtuar një këngë të stërkujtuar të Celentanos la situazzione politico non e buono).
Berisha i së martës mbrëma ishte një Berishë pa teprime. Lloji i tij i politikanit nuk bën pa to, madje i kërkon edhe ku s’janë teprimet, për të marrë maksimmin aty ku ai e don dhe për ta ulur minimumin në zero, aty ku nuk i intereson. Ish-kryeministri u dha në Studion e Hapur me petkun e pater familias, jo vetëm të opozitës Demokrate, por edhe të gjendjes politike kombëtare. Ai u përkujdes të përconte imazhin e atij që di shumë dhe po shumë thotë, e në të njëtën kohë të mos e hakërrejë informacionin e tij. Pozicion në të cilin në fakt zotin Berisha e kemi parë shpesh.
Me pak fjalë një Berishë senatorial. Ose njëfarë monarku politik që kurorën e gjen te përvoja dhe te mosha gjen butësinë e bujarinë.
Berisha i së martës mbrëma ishte një Berishë pa gabime. Intervista të tilla në fakt i jep vetëm Ismail Kadare. Dallohet në to përndritja e një epërsie intelektuale, por edhe fluturimi i një ëndërrimi për një Shqipërido të mund të kish qenë, ose të një atdheu të pamundur. Diku përtej cdo filozofie politike. Ish-shefi i opozitës nuk ra për asnjë dekik në dialogun mujshar të hamendësuar me kundërshtarin politik. E kërkonte atë me sy, por pas një tisi që përcillte trishtim. Sikur i thoshte: nuk është faji yt, ti kaq di e kaq bën.
Berisha i së martës mbrëma ishte një Berishë politik. I tillë në kuptimin që bart togfjalëshi i anglishtes politicial animal. Mbi platformën e përvojës së 23 viteve në politikë, ai ngrinte kështjella insinuatash dhe vjegë informacionesh duke shpjeguar me anë tyre gjithë cka nuk shkon në Danimarkë. Fullanin e mbronte, por jo aq sa të ngjallte dyshime për një aferë politike. Rekordin e keq të rendit e sigurisë e shigjetonte, por jo deri aty sa për të thënë se vizita e Papës në Shqipëri rrezikohej. Bojkotin e Kuvendit nga Demokratët e mbështeste, por jo deri në shkallën e glorifikimit të tij. Madje e mbuloi me trishtim pjesën ku foli për partinë e tij jashtë parlamentit.
Berisha i së martës mbrëma ishte një Berishë historik. Ai e pranoi Luftën antifashiste, por hodhi poshtë tezën e clirimit. (Duke nënkuptuar pak a shumë se një luftë që sjell robërinë e brendshme nuk është e fituar). Nën anën e historisë u dëshmua edhe kur, pa grimasat e zakonshme që ia tradhtojnë qëllimin, u shpreh dorëjashtë në makinerinë organizative të Kuvendit të ardhshëm të Partisë Demokratike. Ai nuk e luajti lojën e dëshiruar shumë të të fuqishmëve, ‘macja me miun’, duke e ditur ndoshta se fuqia e tij tashmë qëndron te trashëgimia politike.
Kundërshtarët e tij me siguri kanë parë një Berishë tjetër. Cinikët do thonë se Berisha e ka edhe këtë maskë gabimi (iluzioni) në gerderobën e tij politike. Pikërisht në këtë keqkuptim përvidhet gjithmonë Berisha.
Sejcili megjithatë është në lirinë e përfundimeve të veta. Kryeministrit Rama që ka sonte një përballje televizive i bie barra e rëndë të shfaqet kryeministror. Publiku do të bëjë krahasimet e veta. Te shefi i qeverisë, nuk duhet të kapë nota të ‘cunit të tironës’, një stilemë me të cilën paraardhësi i tij ndërtoi një variacion në qesëndi.















