Maxhoranca i ka drejtuar opozitës thirrje për të thyer bojkotin dhe marrë pjesë në komisione. Taulant Balla i cili ka drejtuar komisionin e integrimit në mungesë të kryetares Bregu vendosi të shtyjë ngritjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit,një strukturë kordinuese kjo e tërë rrugës drejt BE-së në tentativë për të arritur një konsensus me të djathtët.
“Deri kur opozita dhe PD të reflektojnë me një vendim për të bojkotuar dhe punimet e komisionit, po në mënyrë implicite bojkotojnë dhe këtë këshill kombëtar, ne ta shtyjmë dhe të mos ta miratojmë ngritjen e këtij këshilli kombëtar”, tha Taulant Balla.
Nga ana e saj opozita ka konfirmuar se do të marrë pjesë në këtë strukturë që mblidhet 2 herë në vit, nëse në vazhdën e konsensusit, maxhoranca i le drejtimin e saj. Por kjo nuk do të thotë thyerje të bojkotit për të gjithë komisionet.
“Unë shpresoj shumë që kjo tërheqje të cilën ka vendosur sot maxhoranca ta bëj duke kuptuar gabimin e propozimit që kishte bërë për ngritjen e këshillit kombëtar, të jetë e tillë deri në fund. Sepse nuk kemi kërkuar, dhe e përsëris asgjë më shumë se sa ti lihet opozitës hapësira për të drejtuar një organizëm i cili ka treguar se ka qenë i suksesshëm në këtë format në vende të tjera që sot janë vende anëtare të BE, duke ripërmendur rastin e Kroacisë”, tha Majlinda Bregu, deputete e PD.
Edhe nëkryetari i komisionit të medias, Alfred Peza ka kërkuar praninë e të djathtëve për të zgjidhjur me konsensus ngërcin e krijuar në Autoritetin e Mediave Audiovizive për shkak të vakancave që ka ky institucion si dhe per zgjedhjen e anëtarve të këshillit drejtues të RTSH.
“I bëj thirrje gjithë vullnetit dhe ndërgjegjes së kolegëve që të kuptojmë rëndësinë e këtij momenti dhe të ritheksoj faktin se çështja e zgjidhjes së krizës në RTSH dhe në AMA, është sot çështja më emergjente që ka Parlamenti shqiptar”, tha Peza.
Por praninë në komisione demokratët, e kanë kushtëzuar me zbatimin e gjykatave për të ngritur komisionet hetimore të kërkuara prej saj dhe respektim të opozitës në Kuvend.
“Ne nuk jemi komision që kemi atribute të veçanta, ne jemi pjesë e grupit parlamentar të PD-së dhe sigurisht jemi pjesë e vendimmarrjes politike të këtij grupi, jemi në zbatim të bojkotit. Bojkoti ynë nuk është bojkot i bërë me dëshirën tonë, po është i detyruar nga zgjedhja arrogante e maxhorancës”, tha Luçiano Boçi, deputet i PD.
Që nga mesi i korrikut, pas incidentit me deputetin Gent Strazimiri, opozita ka bojkotuar Kuvendin.
















