Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenkë Gjetaj, kërkon nga shteti serb t’i hapë dosjet dhe të tregojë se ku janë të varrosur trupat e shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë.
Serbia, sipas tij, i ka të dhënat e sakta se ku gjenden këto lokacione. “Serbia është çelësi kryesore. Ajo duhet t’i hapë arkivat, i ka informacionet nga njerëzit që kanë ushtruar veprime kriminale, ka evidenca, ka pas urdhëresa e dokumente”, ka thënë Gjetaj.
Ai ka deklaruar se deri më tani as 30% e të zhdukurve nuk janë kthyer në Kosovë. Fajin për këta ai e ka hedhur te mosbashkëpunimi i shtetit serb. Gjetaj ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që t’i bëhet presion Serbisë që sa me parë t’i kthejë trupat e shqiptarëve të zhdukur në këtë shtet. Ai ka thënë se janë duke punuar edhe në fillimin e gërmimeve në disa pjesë të Kosovës të dyshuara për varreza masive.
“Është punuar aq sa ka qenë e mundshme. Me vetë faktin që ende ka të pagjetur dhe nuk mund të thuhet që është punuar mjaft. Megjithëse zbardhja e fatit të të zhdukurve nuk mund të bëhet vetëm me një angazhim vullnetar, por duhet angazhim të shumanshëm. Serbia është çelësi kryesor. Ajo duhet t’i hapë arkivat, i ka informacionet nga njerëzit që kanë ushtruar veprime kriminale, ka evidenca, ka pas urdhëresa, dokumente”.
















