Ndonëse në pranim-dorëzimin e 16 mbetjeve mortore të bërë në muajin gusht është thënë se në fillim të këtij muaji do të kthehen edhe 24 të tjera, tashmë vetëm 22 janë të sigurta, derisa për 2 mbetje të tjera akoma nuk dihet.
Nesër prej orës 13:00 fillon procedura zyrtare e pranim-dorëzimit të mbetjeve tjera mortore. E pastaj do të vazhdohet me homazhe tek tendat në pikëkalimin kufitar në Merdare, përkatësisht porta numër 2.
Këtë e konfirmon Prenk Gjetaj, kryesues i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur.
“Do të vijnë edhe shumë pjesë kockore për ribashkimin e mbetjeve mortore të riatdhesuara në gusht. Në ora 13:00 fillon procedura e pranimit – pjesa zyrtare, ndërsa homazhet behën prej orës 15:00”, ka thënë Gjetaj.
Me 22 gusht të këtij viti, Serbia i ka dorëzuar EULEX-it 16 mbetje mortore të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë e të cilat janë gjetur në Rudnicë të Rashkës.















