Ambasadori britanik përgëzon Shqipërinë në hapjen e stërvitjes së përbashkët ushtarake për të katërtin vit radhazi “Albanian Lion”
Shqipëria u vlerësua rishtaz nga Londra dhe NATO-ja për ndihmën me armë dhe municione të kurdëve të Irakut që luftojnë ISIS-in.
Autoritetet britanikë dhanë vlerësimin e tyre dhe të NATO-s për ndihmën e Shqipërisë për luftën kundër Shtetit Islamik të Irakut dhe Levantit, ISIS.
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar së Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut Nikolas Kanon (Nicholas Cannon) e përgëzoi Shqipërinë për dërgimin e armëve dhe municioneve për kurdët e Irakut që luftojnë ISIS-in.
Zoti Kanon mori pjesë në paraqitjen hapëse të stërvitjes ushtarake shqiptaro-britanike për të katërtin vit radhazi.
Ambasadori Kanon foli me një gjuhë shqipe të vlerësueshme në aeroportin e Rinasit:
“Qeveria ime dhe partnerët e tjerë të NATO-s i janë mirënjohës Shqipërisë për dhurimin e shpejtë dhe bujar të armëve dhe të municionit për Qeverinë Rajonale Kurde në Irak. Këto kanë ndihmuar forcat kurde për të ndalur përparimin e grupeve ekstremiste. Ky është një shembull i shkëlqyer i solidaritetit të NATO-s”.
Stërvitja ndahet në fazat e 2014-ës “Ëllbenien Lajën” (“Albanian Lion”), 30 gusht-16 shtator dhe “Dragën Hamër” (“Dragon Hammer”) 16 shtator-17 tetor 2014.
Ambasadori theksoi se “Luani Shqiptar 2014” mundëson njësitë e Forcës Ajrore, Detare dhe Tokësore “të praktikojnë skenarë të ndryshëm duke mësuar nga përvoja e njëri-tjetrit”.
Stërvitja “Albanian Lion ‘14” do të fokusohet në kryerjen e operacioneve të evakuimit të civilëve,“Non-combatant Evacuation Operations”, nëpërmjet operacioneve detare, tokësore dhe ajrore.
Në këtë stërvitje do të marrin pjesë rreth 600 trupa, të cilët do të kryejnë demonstrime ushtarake në Bizë, Zall-Herr, në Kepin e Palit, Kuçovë, Pashaliman dhe Porto Palermo. Trupat do të mbështeten nga deti me katër anije ushtarake.
Ndërsa stërvitja “Dragon Hammer “14” do të zhvillohet në Bizë, me qëllim realizimin e skenarëve taktikë malorë.
Gjatë kësaj faze të stërvitjes do të shfrytëzohet baza e Kepit të Palit për bazë furnizimi logjistik, si dhe për largimin e trupave dhe automjeteve pjesëmarrëse në “Albanian Lion 2014”.















