Universiteteve të mbyllura u kanë mbetur vetëm katër ditë kohë për dorëzimet e studentëve të prekur, në Ministrinë e Arsimit. Bëhet fjalë për ato dosje, të cilat ose nuk janë tërhequr nga vetë studentët, për shkak të parregullsive që regjistrohen në dosjet e tyre ose sepse disa universitete të caktuara private nuk kanë pranuar t’i pajisin studentët me dokumentet përkatëse, brenda 1 shtatorit, afat i përcaktuar në vendimin e Këshillit të Ministrave.
Por, burime në Ministrinë e Arsimit, bëjnë me dije se, pavarësisht se kanë mbetur vetëm katër ditë për dorëzimet e dosjeve, në arkivin e tyre numërohen pak të tilla, në raport me numrin që duhet të ishte depozituar deri më tani, në përputhje me detyrimet ligjore. Referuar të dhënave të raportit të verifikimit të ligjshmërisë të kryer nga Ministria e Arsimit, rezulton se në disa prej 18 universiteteve private të mbyllura, nuk gjenden dosjet e studentëve, ndërsa në raste të tjera, në dosjet e tyre personale mungojnë dokumente thelbësore, siç është dëftesa origjinale e shkollës së mesme. Kjo është një prej arsyeve pse një numër i caktuar studentësh nuk kanë pranuar të tërheqin dokumentet mbrapsht, pasi një veprim i tillë do të demaskonte atë që drejtuesit e universiteteve kanë mbuluar prej vitesh.
Regjistrime studentësh që nuk kanë kryer shkollën e mesme, duke kapërcyer direkt në universitet, në këmbim të mijëra eurove. Për raste si këto, vendimi i Këshillit të Ministrave “Për heqjen e licencës së disa institucioneve të arsimit të lartë”, parashikon: “Dosjet e studentëve, të përgatitura nga institucionet private të arsimit të lartë, që nuk do të tërhiqen nga studentët përkatës, përcillen në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit brenda datës 10 shtator 2014”.
Por, pavarësisht këtij detyrimi ligjor, ku thuhet se deri të hënën drejtuesit e universiteteve të mbyllura duhet të depozitojnë një më një çdo dosje, numri i dërguar deri më tani në MAS, sipas burimeve nga ky institucion, është ende i vogël.
Situatë kaotike paraqitet edhe në 12 shkollat e mesme private, me kohë të pjesshme, të mbyllura me urdhër të MAS-it. Kjo, pasi drejtuesit e tyre pohojnë se vendimi i Ministrisë së Arsimit erdhi në një moment të gabuar, tri ditë pasi kishte nisur procesi i regjistrimeve në sistemin parauniversitar.
















