Vizita e Papa Françeskut në Shqipëri më 21 shtator, ka ngritur në këmbë autoritetet policore dhe shërbimet sekrete, jo vetëm të vendit tonë, por edhe ato të huaja. Prej disa muajsh, Shërbimi Informativ Shtetëror, së bashku me agjencitë dhe shërbimet e huaja të vendeve fqinj, kanë shtuar masat e vëzhgimit ndaj të gjithë atyre personave që kanë marrë pjesë në luftën e Sirisë.
Shërbimet e huaja, u kanë kërkuar autoriteteve shqiptare të paralajmërojnë agjentët e terrenit që të kenë më shumë kujdes ndaj këtyre personave për të identifikuar edhe parandaluar çdo ngjarje të organizuar nga ekstremistë të ndryshëm që veprojnë në Shqipëri ose jashtë saj.
Pjesë e vëzhgimit nga ana e policisë dhe shërbimit, mësohet se janë edhe të afërmit e personave që nuk janë kthyer në Shqipëri dhe vazhdojnë të jenë pjesë e rebelëve të ISIS në Siri e Irak.
Sipas burimeve të policisë, mësohet se janë 35 persona që janë kthyer në territorin shqiptar pas aktivizimit në luftimet e Sirisë. Të gjithë këta, po mbahen nën vëzhgim në vendet ku jetojnë, përfshirë dhe kontaktet e mundshme që kanë brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Masat anti-terror nuk janë shtrirë vetëm në Tiranë, por edhe në Elbasan, Shkodër, Peqin, Pogradec, Bulqizë, Cërrik dhe Librazhd, ku persona të dyshuar po mbahen nën vëzhgim për të parandaluar ndonjë akt të mundshëm terrorist gjatë vizitës së Atit të Shenjtë më 21 shtator.















