Historiani dhe diplomati serb Dusan Batakovic në një intervistë për gazetën beogradase “ Danas” ka folur për politikën që po zhvillon Beogradi ndaj Kosovës, procesin e bisedimeve që pritet të vazhdojë ndërmjet Ramush Haradinajt dhe autoriteteve serbe. Duke folur për rolin e shqiptarëve në raport me fuqitë e mëdha, Batakovic ka thënë shqiptarët janë treguar më servilë se sa që pritej.
Drejtori i Institutit të Ballkanologjisë SANU, historiani dhe diplomati Dusan T. Batakovic i cili ka publikuar në Francë librin “ Dekada e stuhishme-Serbët në Kosovë pas vitit 1999: shkatërrimi i trashëgimisë kulturore, pastrimi etnik dhe margjinalizimi”, ëshstë shfaqur kritik ndaj politikës aktuale që po ndjek Serbia në raport me Kosovën.
Ish –ambasadori serb në Francë që ka qenë pjesë e negociatave të Vjenës, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se lirin e ka publikuar në anglisht, pasi sipas tij, është e rëndësishme që atje të tregohen të vërtetat e pakëndshme. Batakovic librit ia ka bashkëngjitur edhe raportin e Dick Martyt.
“Botoj më shumë në anglisht sepse është me rëndësi që atje të bëhen të ditura disa të vërteta të pakëndshme: përndryshe te ne, të gjithë i dinë të gjitha, nuk besoj se autoritetet e këtushme do të merrnin ndonjë mësim të dobishëm. Politika e tyre, me buzëqeshjet e djeshme me Thacin, dhe Haradinajn nesër, e hedh poshtë trashëgiminë e dhimbshme të kësaj dekade persekutimin me motive etnike”
Ndërkohë duke komentuar insistimin e Gjermanisë për ‘përfundimin e punëve’ në Kosovë, Batakovic ka thënë se “Kosova e pavarur është projekt amerikan, ku ndihmësit më të ngushtë kanë qenë gjermanët, të cilët në BE janë të ngarkuar me Ballkanin, bashkë me austriakët, mbrojtësit historikë të nacionalizmit shqiptarë në dy shekujt e fundit”.
“Sot SHBA’të janë të zënë me vatrat tjera të krizave, kështu që cementimi i pavarësisë së Kosovës, duket se tani është në duart e Gjermanisë. Shqiptarët kanë një qëndrim tradicional antirus dhe antiserb, janë klientë të dëgjueshëm dhe të gatshëm që për shkak të interesave të tyre t’u shërbejnë interesave afatëgjatë të Fuqive të Mëdha në këto hapësira: pra bashkëpunëtorë idealë.
Në këtë punë shqiptarët, në bashkëpunim me NATO’n dhe shërbime të caktuara sekrete, janë treguar aleatë edhe më të dëgjueshëm edhe më servilë se sa që pritej. Në anën tjetër gabimet katastrofave të palës serbe, që nga Milosevici, dhe pjesërisht edhe vlerësimet diletante dhe shpesh naive të qeverive demokratike pas vitit 2000, nuk kanë ndihmuar që deri diku të përmirësohen rezultatet humbëse ndaj një pune të palodhshme për ndarjen e krahinës së Serbisë- separatizmi i cili me amendamentet kushtetuese të vitit 1968 -1972 dhe Kushtetutën e vititit 1974, u legalizua me ndihmën e famkeqit Eduard Kardel, nga diktatori komunist Josip Broz Tito.
“Shqipëria e Madhe de facto ekziston edhe pse ajo nuk është formalizuar, ajo është realitet, sepse nuk ka më kufi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, ndërsa është ndërtuar muri i pakalueshëm i Berlit ndaj Serbisë në Merdarë dhe në Jarinjë” ka thënë Batakovic
















