Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Riza Halimi, përmes një kumtese ka theksuar se për nxënësit shqiptarë në Luginën e Preshevës edhe ky vit shkollor po fillon pa tekste mësimore për shumicën dërmuese të teksteve mësimore dhe pa kushte elementare për zhvillimin e procesit mësimor.
Është shumë e qartë se përgjegjësia e drejtpërdrejtë për vazhdimin e kësaj gjendje diskriminuese të shkollave në gjuhën shqipe bie mbi qeverinë e Serbisë, përkatësisht mbi ministrinë e saj të arsimit, por edhe mbi Trupin Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, i cili kishte marrë obligim për ta realizuar programin qeveritar të vitit 2001 për zgjidhjen e krizës në Luginë të Preshevës.
Duke shfrytëzuar dobësitë serioze, përçarjet dhe parcializimin e skajshëm të spektrit politik në Luginë të Preshevës, si edhe mungesën e përkrahjes adekuate të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, qeveritë serbe në vazhdimësi po arrijnë me komoditet madje edhe me arrogancë t’i shkelin të drejtat elementare të Shqiptarëve madje edhe në fazën kur si kandidat për anëtarësim në Unionin Evropian janë duke u përgatitur për hapjen e 35 kaptinave të paraqitura nga Brukseli. Në kuadër të farsës së njohur politike, Qeveria e Serbisë po vazhdon të trumbetojë se shqiptarët në Serbi nuk kanë asnjë problem, pos ata nuk duan t’i realizojnë të drejtat që Serbia ua garanton me Kushtetutën dhe ligjet e saj të bazuara në konventat ndërkombëtare.
Në kuadër të këtyre lojërave të pakufi të qeverisë serbe, në ditën e parë të vitit të ri shkollor, spektaklit medial shumëvjeçar të kryetarëve të Trupit Koordinues me kryetarët e komunave të Preshevës dhe Bujanocit u ndajnë çanta të zbrazëta shkollore nxënësve shqiptarë, do t’i bashkëngjitet kësaj radhe edhe ministri i arsimit Verbiq. Mirëpo kjo vizitë e ministrit të arsimit në Luginë të Preshevës nuk është në funksion të promovimit të ndonjë përmirësimi të gjendjes shumë të vështirë në shkollat shqipe, por është tentim perfid për të amortizuar, së paku karshi faktorit ndërkombëtarë, gafet e kryeministrit Vuçiq, i cili fillimisht kushtëzoi sigurimin e teksteve mësimore për nxënësit Shqiptarë me pagesën e rrymës elektrike e mandej, pa asnjë mbulesë, dha premtime boshe se do ta zgjidhë këtë problem shumëvjeçar brenda disa ditëve! Kështu që edhe pas këtij spektakli krejtësisht të tejdukshëm të ministrit Verbiq, realiteti i vrazhdë në Luginë të Preshevës do të mbetet i pa ndryshuar. Edhe në këtë vit shkollor në shkollat fillore do të mungojnë rreth gjysma e teksteve dhe doracakëve mësimorë. Derisa në shkollat serbe të gjitha tekstet e katër klasave të para janë siguruar falas, në shkollat shqipe falas janë siguruar vetëm librat e leximi për klasën e dytë, të tretë dhe të katërt, tekstet e gjuhës serbe si gjuhë joamtare dhe teksti i lëndës “Bota rreth nesh” për klasën e parë dhe të dytë.
Andaj edhe është krejtësisht e arsyeshme situata në Luginë të Preshevës, ku në vend të përgëzimeve për vitin e ri shkollorë imponohen protestat si formë e rezistencës kundër diskriminimit shtetërorë që në forma perfide po e zbaton edhe qeveria aktuale serbe.Mirëpo, është e papranueshme që udhëheqësit e pushteteve lokale në Preshevë e Bujanoc, edhe pse u takuan me përfaqësues të Këshillit Nacional të Shqiptarëve nuk pranuan që vendimi për protestë me të cilën iu drejtuan shkollave në gjuhën shqipe të jetë në emër të pushteteve lokale dhe Këshillit Nacional të Shqiptarëve, që do të kishte peshë dhe efekt shumë më të madh se ftesa që u bë në emër të subjekteve politike, thuhet ndër të tjera në këtë kumtesë.















