Halimi: Ata që mendojnë se do të ketë zgjedhje lokale me këtë hartë personale të Ramës dhe Metës, janë naivë
Opozita parlajmëron bojkot të zgjedhjeve të ardhëshme vendore. Deputeti demokrat, Eduart Halimi, tha për gazetën “Mapo” se me ndarjen e re teritoriale nuk do të mund të bëhen zgjedhjet lokale. Ai u shpreh se ndarja e re teritoriale, do të thotë ndarje e pushtetit në tavolinë midis kryeministrit Rama dhe kreut të Kuvendit Ilir Meta. “Rama dhe Meta bënë një hartë tërësisht personale për të ndarë pjesët e çifligut dhe kërkojnë tua imponojnë shqiptarëve se kjo është në favor të tyre. Ndanë Tiranën me 4 njësi dhe po kaq Beratin, Skraparin dhe Gjirokastrën.
Kjo është e qartë për çdo qytetar. Nuk bëhet fjalë për reform, bëhet fjalë për marrje pushteti në tryezë. Por ata që mendojnë se do të ketë zgjedhje locale me këtë hartë personale të Ramës dhe Metës, janë naivë. Zgjedhje me këtë hartë, nuk do të ketë. Kushdo që mendon se duke blerë media, pushtete të pavarura, deputetë, do të bëjë zgjedhje me këtë hartë personale,është një politikan naiv”, tha Halimi. Reagimi i deputetit demokrat, vjen pasi Komisioni Kuvendor i Ligjeve, rrëzoi dje dekretin e presidentit Nishani për kthimin për rishqyrtim në Kuvend , të ligjit për Reformën Teritoriale.
Në intervistën për gazetën “Mapo”, deputeti demokrat flet edhe për skandalin e vjedhjes në Bankën e Shqipërisë, duke theksuar se PD ka bërë publik qëndrimin e saj. Halimi shprehet se opozita është e interesuar për stabilitetin financiar, duke justifikuar edhe heshtjen ndaj zërave për dorëheqje të guvernatorit Fullani.
“Fakti që jemi në opozitë nuk do të thotë që kërkojmë destabilitetit të vendit. Jemi opozitë e përgjegjshme.Stabiliteti ekonomik është në interest ë qytetarëve shqiptarë dhe ne këtë interes kemi. Mendoni për një moment të kundërtën. Mendoni sikur të kishte ndodhur kjo kur Rama ishte në opozitë. Do të kishte ngritur në këmbë të gjithë për të destabilizuar vendin”,tha Halimi.















