The Albanian
Një qytetar ka sfiduar ujësjellësin e qytetit të tij me kovën bosh në garën e madhe të “Ice bucket challenge”. Në të vërtete ky ishte lajmi kundra rrymës, i një zallamahie që po mbërthen shqiptarët në këtë verë të nxehtë. Nuk besohet se është më shumë solidarizimi për një çështje të caktuar, në të vërtetë shumë njerëzore, më tepër sesa të qenurit trendy (në modë) me sfidat e ujit me akull.
Se mos mendohet se shqiptarët nuk janë solidarizues? As të mos (guxojë) e mendojë kush. Mjafton që të hedhwsh (njërin) sy rrjetet sociale dhe kjo puna e ujit me akull është bërë kaq nw modw (trendy) (nw fakt e bezdisshme deri në neveri), që të kujton modën e pantallonave të gjerë, këpucëve me maja apo qethjet e stilit bishtpëllumb të viteve ’90, për të mos shkuar më tej me parullat e tipit, “Mbahu Vietnam-Ne jemi me ju”.
Kushedi sa koha me ujë akull do të duheshin për t’u bindur se një pjesë vërtet e madhe e sfiduesve “solidarizohen” me kauzën, jo si qëllim në vetvete sesa për të qenë në modë.
Nëse solidariteti do të ishte vërtet për shkak të kauzës, do të ishin të paktë ata që do të merrnin mundimin… për të pritur sa të vinte uji (cili qytet në Shqipëri ka ujë 24 orë…) ta ngrinin nëse do të ketë drita gjithmonë… për të kryer aktin e madh sublim… të sfidimit… por do të solidarizoheshin me “qytetarin e panjohur” me kovën bosh të ujit.
Nëse do të ishte kaq e rrënjosur ideja e protestës tek ne shqiptarët, apo thjesht e solidarizimit me një çështje të caktuar, që ka efekt në mbarë shoqërinë, gjërat do të ishin më ndryshe, së paku në Shqipëri nuk do të ishim dëshmitarë në mos të vdekjes, të venitjes në ekstrem të asaj që quhet shoqëri civile, që thuajse e ka të pamundur të mbijetojë pa injektimin e politikës në indet e saj të brishta.
Imagjinoni sa qytetarë do të protestonin me ato kova bosh…ndërsa prisnin ujin që vazhdon të jetë me orar, pa e carë kokën se kush është në pushtet, se kush e kishte fajin i pari, që pas kaq e kaq vitesh Shqipëria jonë e dashur vazhdon të mbetet furnizim me ujë, madje gati gati nuk ka asnjë shpresw se kjo gjw do tw rregullohet…
(Eh ç’janë lodhur shqiptarët e shkretë edhe me trajtimin e këtij problemi… ka çështje shumë më të rëndësishme për t’u diskutuar në kafenetë me ndenjëse luksoze…që nga ekonomia e Kinës zhvillimet në Ukrainë e deri tek ndonjë thashetheme rozë…)
Nuk të vjen ndërmend ndonjë solidaritet, as në minimumin e mundshëm, të atyre qw mbushin rrjetet sociale me aktin e madh, me të sëmurët shqiptarë që nuk kanë mundësi financiare që të shërohen jashtë… se shërbimi mjekësor falas në vend… nuk mund t’ua marrë përsipër…as për ato familje të varfra që me kilometra larg e kanë ujin e pijshëm, e të zgjedhurit e tyre numërojnë vilat e pasuritë e tjera të patundshme.
Imagjino sa kova bosh do të ktheheshin për paratë që marrin (dmth ua japim…dmth duhet t’ua japim… rojeve infermierëve, mjekëve… nëse… larg qoftë të bie të shkosh në spital… le pastaj për spitalet private që të llahtarisin me reklamat e tyre nëpër TV-të më të shtrenjta… sa ka qejf robi të sëmuret… vetëm për të shkuar tek këto spitalet private…
Imagjino sa masive (dhe natyrisht shumë në modë) do të ishte një solidarizim me një qytetar që kërkon një kosh për të hedhur mbeturina… nuk do të gjendej një arsye për të mos u solidarizuar me të…në një shoqëri të shëndoshë, të papolitizuar deri në ADN-në e saj.
Nuk të vjen ndërmend ndonjë solidaritet, qoftë për ata qytetarë të përgjegjshëm…për ata lypin një kosh plehrash… nëpër bulevardet kryesore të qyteteve shqiptare.. ndonëse “solidarizuesit… janë të gatshëm të betohen për fëmijët e tyre, se kryetari i bashkisë apo i komunës është më i miri që ka qenë apo mund të vijë ndonjëherë.
Do të ishte garë e llahtarshme mes shoqatave të shoqërisë civile për gjetjen e mënyrës së protestës, madje edhe tek të rinjtë, që shkollohen, që marrin diploma me shumicë, në auditorë apo drejtpërdrejt në kafe… por që (për momentin) nuk u kujtohet as tabela e shumëzimit… apo nëse duhet vendosur germa (e mallkuar) ë në fundin e një fjale…e që me mburrje të thonë se kanë të paktën dy mastera…
Nuk do të kishte student që nuk do të solidarizohej, madje as prind që ka shpenzuar për “shkollimin” e fëmijës së tij, me shpresën se “të zgjedhurit” nuk do i vinin në presion për gjetjen e një vendi pune… pasi janë të pajisur me diploma…
Sa qytetarë do të solidarizoheshin me ata që u bie të shkojnë në dyert e gjykatave…të përballen me majisjen e pafundme të atyre gjyqtarëve që do të vendosin për fatin e tyre, kur vete ministri i Drejtësisë pohon me ndjesinë më të lartë, se ska më keq sesa ky sistem drejtësie që është…
A do të kthehej në modë një sensibilizim për aksidentet e shumta vërtet të shumta, që ndodhin në rrugët e Shqipërisë, kur as Ministri i Rendit nuk e di shifrën e saktë të jetëve të humbura si pasojë e çmendurisë së shoferëve, kaosit nëpër rrugët shqiptare…
Sa në modë do të ktheheshin 1001 abuzime që bëhen me qytetarin shqiptar, nga ata që u bie të quhen përfaqësues, që mund të kenë bërë ose jo ndonjë “gabim” në adoleshencën e tyre të hershme apo të vonë… deri tek ata pasanikë që blejnë gjithçka në Shqipërinë tonë të dashur, pasuri të tundshme apo jo, media, e deri tek ndonjë vjedhje e rëndomtë të institucionit më të lartë bankar të një vend, Bankës së Shqipërisë, se tenderët e këto gjerat e vogla… janë pjesë e sistemit,, dhe siç ka thënë “fort i ndyeri kryeministër” është sistemi që korrupton njerëzit dhe jo njerëzit sistemin… eh çfarë nuk shitet aty… vetëm a ke para…
Për t’u kthyer në hallet e shtëpisë sonë të madhe shqiptare… duhet të ishte një solidaritet i jashtëzakonshëm me shqiptarët e Malit të Zi, që në batakun malazez arrijnë me sukses të shkombëtarizohen me një ritëm të paparë, e madje edhe në ato vende apo komuna që pushtimet apo komunizmi jugosllav nuk mundi t’i tjetërsojë, tashmë paqtësisht i bashkëqeverisin, e të drejtën e flamurit nuk e kanë, se për momentin janë të zënë me ca halle të ndarjes së karrigeve, por shpresojnë se një ditë do të bëhet ndonjë reformë e do mund të flitet edhe shqip.. nëpër institucionet e Malit të ZI, që shqiptarët t’i gëzojnë të drejtat e tyre… por atje shqipja nuk është shumë në modë… nuk është trendy… në krahasim me serbishten…e vërtet besohet se më shumë mund të solidarizohej udhëheqësia e atjeshme me ndonjë koalicion çorbe sesa… me ndonjë tendencë për një unifikim të faktorit shqiptar. Do të ishte tërësisht në modë, solidarizimi në shtëpinë tonë të madhe shqiptare me Shqiptarët e Luginës së Preshevës… që akoma nuk kanë një spital… por nënat shqiptare duhet të shkojnë në Vranjë për të lindur…që do i shkonte shumë përshtat kauzës…dhe premtimit të kryeministrit…Me miliona kova me ujë ose bosh mund të hidheshin për ta, apo me spastrimin etnik që u bë atje… e që në kushte paqësore po vazhdon të bëhet, se për ndonjë universitet në gjuhën shqipe është pak si luks të mendohet… se kemi shumë halle ne shqiptarët… e tani skemi çtë bëjmë…
Për të ardhur tek shqiptarët e Maqedonisë… Sa kova do të duheshin? Dhe vetëm zgjidh lumin (jo domosdoshmërisht Radikën…)
Të paktën do të solidarizoheshin me ata “përfaqësues” që nuk kursyen grushtet në parlament për hallet… e karrigeve.. kur marrëveshja…në fakt Ohri do të zbrazej nga kovat që mund të mbusheshin…. Miliona shqiptarë do të solidarizoheshin vetëm që faktori shqiptar të unifikohej…e të mund të mbronin dinjitetin e shqiptarëve…por kaq shumë është e pamundur atje sa edhe vetë klasa politike maqedone të përpiqej me mish e me shpirt, nuk mund t’i bëjë ata shqiptarë bashkë, dmth përfaqësuesit e tyre… në të vërtetë deri më sot nuk ja ka dalë edhe pse i ka diskretituar në maksimum, i ka burgosur, u ka fshirë kujtesën historike të vjetër apo të re, u ka bërë dhuratë ndonjë Car Serb…prapë shqiptarët unifikimin e kanë të pamundur… po po kemi shumë halle ne shqiptarët…
E kryeqyteti shqiptar pa lum nuk do të mbetej mbrapa në modën e madhe të solidarizimit. Do të mjaftonte thjesht një solidarizim me ndonjë ambasador që do t’i duhej të zgjidhte ndonjë zarf, me emrin e ndonjë Zarifi apo Zarifeje, se ndryshe nuk lëshojmë pe ne shqiptarët, si të fituarit e mundur, apo si humbës të fituar, e për një plesht jo vetëm që e djegim jorganin, por flemë zbuluar edhe në netët më të ftohta të dimrit… qoftë në veri apo jug të Mitrovicës, e mbase marrim edhe ndonjë dhuratë nga kamjonat e Serbisë, që e mbushin tregun e Kosovës, e pijmë ndonjë çaj me komunitetet për të parë se si i kanë hallet, se mos e dhëntë Zoti diskriminohen… dhe e merr vesh Ban Ki Mun më parë se ajo familja e varfër që shpreson se do të mund të kalojë ditën me ato paratë e dhuruara nga emigracioni…Sa kova do të duheshin për ata jetimët e luftës për.. për 1001 arsye.
Kompania më e madhe e prodhimit të kovave do të binte në hall me shqiptarët, jo që nuk do solidarizoheshin me të gjitha këto çështje, por thjesht nuk do të ishin në modë këto përrallisje… e madje asnjë LIKE nuk do të mund të siguronin në statuset e tyre të facebook-ut.














