Mbremjen e djeshme Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, arrestoi në flagrancë punonjësin e policisë Ernest Ndue Paluku, me detyrë Shef i Stacionit të Policisë Velipojë, (Komisariati i Policisë Shkodër), pasi dyshohet se ka konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”dhe “Marrdhënie seksuale ose homoseksuale duke shpërdoruar detyrën”, të parashikuar nga nenet 248 dhe 105 i Kodit Penal.
Dyshohet se punonjësi i policisë Ernest Paluku, duke shfrytëzuar detyrën e tij funksionale, ka kërkuar favore seksuale nga shtetësja R.M, e cila ishte paraqitur në Stacionin e Policisë Velipojë, për të bërë një kallzim për dhunë dhe keqtrajtim nga bashkëshorti i saj.
Nga veprimet hetimore të kryera rezulton se punonjësi i policisë Paluku, pas paraqitjes së shtetases R.M, për të bërë denoncim nuk e ka kryer detyrën funksionale sipas procedurave standarde, por duke shfrytëzuar postin i ka kërkuar asaj favore seksuale.
Këto veprime i ka kryer jashtë dëshirës së shtetases R.M., të cilës i premtonte mbrojtje për shqetësimet që i sillte bashkëshorti i saj.
Materialet hetimore ju kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprime dhe hetime të mëtejshme.














