Listës së politikanëve milionerë në vend i janë shtuar edhe disa deputetë të rinj, që kanë fituar mandatin në zgjedhjet e fundit nacionale në vend, që u mbajtën në qershor të këtij viti. Vajza e ish-presidentit Ibrahim Rugova, Teuta Rugova, në bazë të formularëve të Agjencisë Kundër Korrupsionit rezulton të jetë deputetja më e pasur prej deputetëve të rinj në Kuvendin e Kosovës. Ajo ka deklaruar se ka në pronësi një shtëpi në vlerë prej 1.5 milionë euro, një banesë prej 68 mijë euro, si dhe një veturë në vlerë prej 25 mijë euro.
Në listën e milionerëve të rinj në Kuvendin e Kosovës është edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Rrustem Berisha.
Ish-komandanti i UÇK-së ka deklaruar se ka në pronësi tokë bujqësore, shtëpi, lokale, male në vlerë prej 780 mijë euro. Ai po ashtu ka deklaruar se ka në pronësi edhe veturë, traktor dhe pajisje bujqësore në vlerë prej 40 mijë euro, si dhe pronar i 100 % të aksioneve në kompaninë “IDILA” në vlerë prej 230 mijë euro.
Ndërkaq para të gatshme në bankë i ka rreth 3000 euro. Edhe Faton Topalli, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes “Vetëvendosje” hyn në listën e milionerëve të rinj. Ai ka deklaruar se ka në pronësi tre shtëpi personale që kanë vlerë prej 849 mijë euro, si dhe një truall në vlerë prej 100 mijë euro. Topalli po ashtu ka deklaruar se ka në pronësi edhe një veturë prej 10 mijë euro, si dhe rreth 66 mijë euro para të gatshme, kryesisht në banka jashtë vendit.
Mustafa shtëpi gjysmë milionëshe
Me pasuri nuk qëndron keq as deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri. Në formularët e Agjencisë Kundër Korrupsionit ajo ka deklaruar se ka në pronësi shtëpi, banesa, lokale, tokë pune, ku vlera e tyre është 930 mijë euro. Edhe deputetja tjetër e Lidhjes Demokratike të Kosovës Doruntina Maloku, hyn në listën e deputetëve më të pasur në përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës.
Pasuria e saj e vetëdeklaruar është 840 mijë euro, ku në të përfshihet tokë, mal, shtëpi, oborr, 2 vetura 22 mijë euro, rreth 17 mijë euro para kursime. Me pasuri nuk qëndron keq as deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rrustem Mustafa. Ai ka deklaruar se ka në pronësi një objekt banimi në vlerë prej 500 mijë euro, truall 9 mijë euro, si dhe veturë 25 mijë euro.
Kadri Veseli, në formularët e Agjencisë Kundër Korrupsionit, ka deklaruar se ka në pronësi 2 banesa të blera në vlerë prej 240 mijë euro. Po ashtu ai ka deklaruar se ka në pronësi një shtëpi dhe tokë bujqësore, por pa e precizuar vlerën e tyre. Veseli në formularët e AKK-së ka deklaruar se në llogaritë e tij bankare ka të depozituara rreth 13 mijë e 500 euro, e derisa të hyrat e tij vjetore familjare janë 46 mijë euro.
Haradinaj shtëpi 570 mijë euro
Hiç keq me pasuri nuk qëndron as deputeti Ramush Haradinaj. Ai ka deklaruar se ka në pronësi dy shtëpi në vlerë prej 570 mijë euro, tokë kodrinore e truall 100 mijë euro, automjete 68 mijë euro. Pasuri prej më shumë se gjysmë milioni euro ka deklaruar edhe deputeti i ri i AAK-së Lahi Brahimaj. Pasuria totale e tij e vetëdeklaruar është hiç më pakë se 550 mijë euro, ku 430 mijë euro është vlera e tokës bujqësore dhe e shtëpisë, ndërkaq 120 mijë euro e pajisjeve bujqësore.
Teuta Rugova 1,593,000 euro
Rrustem Berisha 1,050,000 euro
Faton Topalli 1,025,000 euro
Besa Gaxherri 930,000 euro
Doruntina Maloku 840,000 euro
Ramush Haradinaj 830,000 euro
Lahi Brahimaj 550,000 euro
Rrustem Mustafa 534,000 euro
Kadri Veseli 240,000 euro
















