Kosova dhe Serbia, me ndihmën e Bashkimit Evropian, do të nisin së shpejti ndërtimin e pikave të përhershme dhe të përbashkëta kufitare. Ndërtimi i pikave të përbashkëta kufitare është si rezultat i marrëveshjes së arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.
Që nga hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje, autoritetet e Kosovës, si Policia dhe Dogana, kanë filluar të aplikojnë ligjet dhe kontrollet e njëjta si në të gjitha pikat e tjera kufitare në Kosovë. Këtë e konfirmojnë për RTK-në, zyrtarë te policisë dhe Doganës në Jarinje.
Por, RTK mëson nga burimet e saj se para disa ditëve në dy pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjakë është sekuestruar nga Dogana e Kosovës një sasi e mallrave të ndryshme që tentohej të hynte ilegalisht në Kosovë.
Përveç pikës kufitare në Jarinje, Policia e Kosovës dhe doganat bëjnë kontrolle edhe në transportin hekurudhor.
Përfaqësues të institucioneve të Kosovës thonë se tashmë janë në përfundim të përgatitjes së planit i cili parasheh ndërtimin e godinave që do të shërbejnë për të dyja palët në gjashtë pikat kufitare.
Marrëveshja për Menaxhimin e integruar të Kufirit, nga këndi analitik, shihet si mundësi e mirë për integrimin e veriut.
Objektet e përbashkëta të IBMit do të ndërtohen me financimin e Bashkimit Evropian i cili tashmë ka alokuar fondet financiare për ndërtimin e objekteve si dhe ka kontraktuar kompaninë e cila do të hartojë projektet ndërtimore dhe do t’i kryejë punimet.















