Piloti i helikopterit: Një plumb më kaloi 10 cm larg. Kishim rrjedhje benzine dhe vaji
Një nga helikopterët e forcave RENEA të Policisë së Shtetit është qëlluar me armë zjarri dy ditë më parë, në fshatin Mgull në zonën e Dukagjinit. Pesë plumba kanë prekur helikopterin, ku njëri prej tyre ka qenë në kabinën e pilotëve. Ka qenë manovra e dy pilotëve ajo që ka evituar tragjedinë, pasi katër plumbat e tjerë kanë prekur rezervuarin e karburantit, duke pësuar rrjedhje benzine dhe vaji. Pasi u qëlluan, helikopteri ka qëndruar në ajër për 40 sekonda dhe ka bërë ulje të detyruar në një zonë shumë të vështirë, të mbjellë me misër. Një nga heronjtë e policisë, Xhemal Sh., në një intervistë për gazetën Shqip thotë se një nga plumbat i ka kaluar disa centimetra larg trupit. Madje, saktëson se, nëse do të kishte pasur një qëndrim normal në kabinë, atëherë plumbi do ta kishte prekur. Ai thotë se ka marrë një nga vendimet më të vështira në të gjithë karrierën e tij 14-vjeçare në Policinë e Shtetit, pasi në momentin që helikopteri është qëlluar, ai ka pasur dy alternativa për t’u shpëtuar plumbave: të shkonte drejt shkëmbinjve ose të bënte ulje të detyruar në një terren shumë të vështirë. Rreziku ishte në të dyja alternativat, por Xhemali, së bashku me kolegun e tij, zgjodhi alternativën e dytë, të bënte ulje të detyruar, pasi helikopteri po humbte lartësi. Fatmirësisht, përvoja dhe manovrat e tij, duke iu shtuar edhe fatin, sollën që ulja të realizohej.
Z.Xhemal, prej sa vitesh punoni në Policinë e Shtetit?
Unë jam prej 14 vitesh si pjesë e forcave të Policisë së Shtetit, më saktësisht të repartit RENEA. Jam me detyrën e pilotit dhe aktualisht jam shefi i pilotëve.
Sa helikopterë ka reparti juaj?
Ne kemi tre helikopterë, por aktualisht jemi në fazën e riorganizimit.
Çfarë detyre kishit ditën e premte, në aksionin antikanabis në Dukagjin?
Në bazë të planit të hartuar nga drejtuesit e operacionit, ne duhet të dërgonin forca të RENEA-s në disa pika dominuese në zonën e Dukagjinit. Mjeti ynë u ngrit nga Shkodra në orën 11:40 minuta. Kemi shkuar në fshatin Mgull, në një fushë uljeje. Pasi zbarkuam efektivët e RENEA-s, filluam procedurën e ngritjes, në bazë edhe të rregulloreve. Pas 15 apo 20 sekondash. Dëgjuam disa të shtëna, që vinin nga dy drejtime. Me manovra të shpejta, kemi bërë ulje lartësie, edhe si pasojë e defekteve që po na shfaqeshin. Kemi pasur dy alternativa: ose të shkonim drejt shkëmbinjve ku rreziku ishte shumë i madh, ose të bënim ulje të detyruar në një zonë të vështirë. Zgjodhëm këtë të dytën dhe fatmirësisht bëmë ulje në një zonë të vështirë, ku në kushte normale do e kishim të pamundur.
Më pas çfarë bëtë?
Kemi zbritur dhe kemi marrë pozicione për zjarr, pasi vazhdonin të shtënat. Pas disa çastesh, konstatuam se helikopteri kishte shumë rrjedhje benzine dhe vaji. Një nga plumbat kishte hyrë nga dera e djathtë e helikopterit dhe kishte dalje në kabinën e pilotëve. Në kushte qëndrimi normal tonin, plumbi do të na kishte prekur. Madje, ishte në sediljen që qëndroja unë. Gjatë manovrave, unë mund të jem përkulur pak çka ka sjellë që plumbi të mos më prekë. Megjithatë, edhe kur jam përkulur, mund të më ketë kaluar rreth 10 centimetra larg.
Çfarë veprimi tjetër keni bërë gjatë kohës që qëndruat në ajër?
Kemi komunikuar në radio dhe u kemi thënë “Po na qëllojnë”, “po bëjmë ulje të detyruar”. Ne kemi qenë rreth 50 metra lartësi kur na qëlluan. Manovruam dhe arritëm të shpëtonim.
Sa persona keni qenë në bord?
Vetëm dy pilotët, pasi efektivët e RENEA-s sapo i kishim zbaritur në terren.
Të shtënat ishin nga afër apo nga larg?
Besoj se kanë qenë shumë afër, pasi dëgjuam dy lloje të shtënash, nga dy drejtime të ndryshme me kalibra të ndryshëm. Dyert i kishim të hapura dhe dukeshin nga fare pranë. Kemi shpëtuar për mrekulli. Madje, kur zbritëm, konstatuam se shumë plumba kishin prekur rezervuarin e karburantit dhe kishte rrjedhje benzine dhe karburanti. Besoj se plumbat kanë qenë njëri i kalibrit 7.62 dhe tjetri më i madh, ndoshta 12.7. nga momenti që jemi qëlluar e deri kur bëmë edhe uljen e detyruar kemi qëndruar në ajër 40 sekonda. Helikopteri ende është në zonën që e ulëm, pasi do të kryhen edhe procedurat përkatëse. Detyra jonë është një dhe e vetme: të shohim gjithmonë përpara. S.Çobo shqip















