ë fundmi Presidenti dhe qeveria kanë pasur qëndrime të kundërta lidhur me 3 ligje të vlerësuara të rëndësishme nga mazhoranca e majtë qeverisëse
Presidenti i Republikës Bujar Nishani do të zhvillojë nesër një takim me përfaqësues të pushtetit vendor në lidhje me ligjin për reformën administrativo-territoriale. Reforma territoriale u miratua në seancën e fundit parlamentare në 31 korrik me 88 vota pro.
Së fundmi Presidenti dhe qeveria kanë pasur qëndrime të kundërta lidhur me disa ligje. Nishani nuk dekretoi ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” duke argumentuar se “ndryshimet ligjore që sjell ky ligj, janë në kundërshtim me nenet 7 dhe 145 të Kushtetutës, me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese dhe shkelin parimin kushtetues të shtetit të së drejtës”.
Një tjetër ligj i rrëzuar nga Buajar Nishani është ai për “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë ligj të cilin mazhoranca qeverisëse e shikon si të një rëndësie të veçantë .
Presidenti Nishani në dekretin e tij shprehet se ligji “Kufizon kompetencën e Presidentit të Republikës në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për të propozuar si Zv.kryetar cilindo nga anëtarët e këtij Këshilli, dhe heq të drejtën që i ka dhënë Kushtetuta anëtarëve nga radhët e gjyqësorit për t’u propozuar në postin e zv.kryetarit të KLD-së.
Ligji i tretë i kthyer me firmën e Presidentit Nishani është ai për Policinë e Shtetit. Atë që quhet si risi e këtij ligji “Byronë Kombëtare të Hetimit” Presidenti argumeton se kemi të bëjmë me një strukturë e cila krijon paralelizma në kompetenca dhe kontradiksion me objektin e veprimtarisë së organit të Prokurorisë dhe Policisë Gjyqësore për të cilat ka tashmë një kuadër ligjor që e mirëpërcakton.














