Në një intervistë për portalin “Faktor” diplomatja franceze ka theksuar se veç çështjes së emrit mes palëve nuk do të ketë bisedime për çështje të të tjera
Ambasadorja e Francës në Republikën e Maqedonisë, Lorens Oer shpreson të arrihet përparim në bisedimet mes Shkupit e Athinës për çështjen e emrit. Në një intervistë për portalin “Faktor” diplomatja franceze ka theksuar se veç çështjes së emrit mes palëve nuk do të ketë bisedime për çështje të të tjera si identiteti apo historia.
“Sikurse Nimiç përsëriti gjatë vizitës së tij këtu, nuk do të hapen bisedime për çështjen e identitetit, gjuhës ose të historisë, por bëhet fjalë për përpjekjen që të gjendet një kompromis në kuadrin e përcaktuar mirë. Vetëm po përmend se ne me dekada zhvilluam bisedime të komplikuara për kornizën e bashkëpunimit francezo-gjerman. Në vitin 2002, u përpilua teksti i përbashkët shkollor për historinë francezo-gjermane, pas negociatave dhjetëvjeçare në kuadër të komisioneve të përbërë nga historianë. Duhet të bëhet dallimi midis asaj se çka është politikë e brendshme dhe asaj që mund të diskutohet në korniza të tjera, e që është me interes më të madh për shtetin” ka thënë ambasadorja Oer.
Ndërkombëtarisht dhe nga Greqia shteti njihet si “Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë”, ndërsa vendasit si dhe në marrëdhënie dypalëshe, përfshi Shqipërinë dhe SHBA-në, si “Republika e Maqedonisë”.














