Zëvëndëskryeministri inaguroi rrugën Vorë – Kuç ku dhe diskutoi me banorë të kësaj krahine për efektet e reformës teritoriale
Reformës Administrative do të ndikojë pozitivisht në rritjen e kapaciteteve të bashkive, u shpreh zvkryeministri Niko Peleshi gjatë inagurimit të rrugës Vorë – Kuç. Peleshi tha se Reforma Territoriale Administrative ndikon edhe mbi instrumentet si Fondi Shqipëtar i Zhvillimit dhe Fondi i Zhvillimit të Rajoneve të cilat do të riformatohen për të mbështetur nga afër njësitë e reja të qeverisjes vendore. “Reforma Territoriale është një hap shumë pozitiv, e para sepse krijon bashki më të mëdha, kursen një pjesë të fondeve që deri dje përdoreshin për shpenzime të fryra administrative dhe këto para tani mund të përdoren për investime. Ka kapacitete më të mira një bashki e madhe sesa një komunë e vogël dhe kapacitetet janë shumë të rëndësishme kur vjen fjala për projektimin e investimeve apo punëve publike, por edhe për zbatimin e tyre. Por edhe ne si qeveri do t’i forcojmë shumë, Fondin Shqiptar të Zhvillimit i cili ka realizuar këtë rrugë, por edhe Fondin e Zhvillimit të Rajoneve si instrumente që do të punojnë pranë bashkive të mëdha për t’i mbështetur në projektim, në financim por edhe në zbatimin e projekteve.” – u shpreh Zëvendëskryeministri Niko Peleshi. Një shqetësim i ngritur nga banorët lidhej me furnizimin me ujë të pijshëm, ku pavarësisht investimeve në ujësjellës, Vora dhe fshatrat përreth vazhdojnë të vuajnë mungesën e ujit. Zëvendëskryeministri e konsideroi këtë si një rast tipik të keqmenaxhimit të investimeve dhe theksoi se qeveria është e vendosur t’i japë fund kësaj situate. “Ne duam t’i japim fund historisë së miliona e miliona eurove të shpenzuara në gjithë Shqipërinë për ujësjellësa, kanalizime, impiante të përpunimit të ujërave dhe që sot janë jashtë funksionit. Shqipëria mesa duket nuk ka vuajtur nga mungesa e fondeve, por ka vuajtur nga keqmenaxhimi dhe keqpërdorimi” – tha Peleshi.
















