Në komunat e veriut të Kosovës, vazhdojnë të funksionojnë pa ndonjë pengesë strukturat ilegale të Serbisë.
Edhe pse me Marrëveshjen e Brukselit Serbia ishte detyruar t’i shuante institucionet paralele në veri, menjëherë pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale në Kosovë, kjo nuk ka ndodhur as pas nëntë muajve prejse janë konsoliduar institucionet e reja kosovare në katër komunat në veri të Kosovës.
Ministria e Pushtetit Lokal çdo ditë sfidohet në shtrirjen e ligjshmërisë në komunat veriore, pasi zyrtarët serbë që po transferohen nga strukturat serbe në ato kosovare nuk zbatojnë në tërësi legjislacionin e Prishtinës zyrtare.
Ndërsa, sekretari i Ministrisë së Pushtetit Lokal, Besnik Osmani, ka thënë për Top Channel se tranzicioni që ka nisur “po shkon mirë, edhe pse ngadalë”.
Zotimi i Prishtinës zyrtare në Bruksel se do të pranojë të transferohen të gjithë punonjësit e strukturave paralele, rezulton problematik për buxhetin e Kosovës, pasi Serbia e kishte rritur tej mase numrin e punonjësve në veri që i paguante Beogradi.
Aktualisht në veri të Kosovës vazhdojnë të punojnë dy palë institucione që u raportojnë dy shteteve të ndryshme.
Kryetarët e rinj të komunave veriore me shumicë serbe, edhe pse duhet t’u binden ligjeve të Kosovës, shpeshherë në kundërshtim me to vendosin të ndërtojnë parqe që bllokojnë rrugët për qarkullim të shqiptarëve, siç ishte rasti i bllokimit të urës mbi lumin Ibër.















