Analistë të çështjeve politike e konsiderojnë si veprim i logjikshëm qëndrimin e koalicionit pasgjedhor LDK=AAK-NISMA për rishikimin e të gjitha vendimeve që po i merr qeveria në largim. Megjithatë, ata thonë se qeveria e re mund të anulojë vetëm vendimet që eventualisht janë të paligjshme.
Fisnik Korencia, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se blloku LDK -AAK –Nisma, ka të drejtë që, nëse e merr qeverinë, t’i rishikojë vendimet e qeverisë në largim, por këtë duhet ta bëjë në mënyrë transparente dhe pa interesa partiake.
“Unë vlerësoj që ka nevojë që qeveria e re t’i rishikojë shumë vendime, sidomos të punësimeve të egra, por edhe të dhënies së tenderëve të kohës së fundit që në fakt janë vendime të shpejta, të marra nga qeveria në detyrë, të cilat nëse dalin që janë marrë në mënyrë të paligjshme do të duhej të anuloheshin, por në një mënyrë transparente”, ka thënë Korencia.
Koalicioni LDK-AAK-Nisma ka shprehur shqetësim për vendimet që qeveria në largim vazhdon t’i marrë, duke i quajtur ato si të dëmshme.
Avni Arifi, këshilltar i parë i liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se qeveria në largim ka marrë vendime të tilla që nga mesi i muajit qershor.
“Që nga mesi i qershorit, qeveria në largim, e vetëdijshme që do të ketë ndërrim qeveritar, ka filluar një praktikë të çuditshme dhe të dëmshme të punës në institucionet e Kosovës, me vendimet e saj. Ka orientuar resurset e saj te tenderimi i shpejtë për shumë rrugë, për shumë gjëra që favorizojnë qoftë njerëzit, qoftë bizneset e PDK-së”, ka thënë ai.
“Po bëhet punësimi i njerëzve të partisë me procedura të shpejta, stafi politik nëpër shumë ministri është duke u transferuar si shërbyes civil. Vendimet e qeverisë, që nga fundi i muajit qershor, nuk janë më publike, nuk publikohen fare në gazetën zyrtare të kryeministrisë”, ka thënë Arifi.
Ai ka thënë se të gjitha këto vendime do të rishikohen dhe do të shqyrtohen nëse konstatohet se ato janë bërë në pajtim me ligjin dhe në interes të funksionimit të administratës publike, atëherë nuk do të anulohen.
Qeveria në largim e Kosovës, pas zgjedhjeve të 8 qershorit kishte nënshkruar kontratën për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit. Fisnik Korencia thekson se ky vendim, i marrë pas zgjedhjeve të 8 qershorit, është ndoshta një vendim i ligjshëm, por moralisht nuk do të duhej të merrej nga një qeveri në largim.
“Unë besoj që po të kishte një parlament funksional do të ishte i nevojshëm një kontroll i detajuar parlamentar mbi çdo veprim qeverisës të ndërmarrë. Edhe sa i përket punësimit, edhe sa i takon tenderëve, kjo të bëhej që prej momentin kur Kosova ka hyrë në proces zgjedhor dhe për gjitha vendimet që janë marrë nga qeveria në detyrë në këtë periudhë”, ka thënë Korenica.
“Nëse në Kosovë ndërtohet precedenti që qeveria në detyrë në minutat e fundit të saj të bëjë vendime madhore dhe t’i bëjë këto tërësisht në mënyrë të mbyllur, atëherë ne po mbështesim një koncept të gërryerjes së shtetit dhe jo të shtet ndërtimit”, ka theksuar ai.
Ekskluzive/ Sa viza aprovoi dhe refuzoi Anglia për shqiptarët janar-shtator 2023
Për të njëjtën periudhë kohore për viza familjare aplikuan 1,365 shtetas shqiptarë. Në të gjitha deklarimet publike, kryeministri Anglisë Rishi...















