I ngarkuari me punë i Kosovës në Mal të Zi, Xhaferr Ahmeti, është shkarkuar nga detyra pasi postoi në Facebook një koment ku fyen me fjalë ekstreme ish kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha. Ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj, ka urdhëruar kthimin e menjëhershëm në Prishtinë të Ahmetit për këtë shkelje të rregullave diplomatike dhe qëndrim aspak konform me sjelljen e një diplomati të lartë. Këtë vendim e ka konfirmuar për gazetën Zëri në Prishtinë, këshilltari politik i ministrit Hoxhaj, Bashmir Xhemaj.
Diplomati i lartë e kishte cilësuar psikopat ish kryeministrin Berisha dhe kritikonte popollin e Kosovës për mungesë llogjike në dashurinë ndaj Berishës.
“Komentet e tij nuk paraqesin qëndrimet e institucioneve të Kosovës. Ministri Hoxhaj personalisht dhe i tërë populli i Kosovës i janë mirënjohës ish Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha për kontributin e tij të madh për Kosovën”, tha këshilltari Xhemaj.
















