Sheshin “Car Llazari” në veri të Mitrovicës, përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës e kundërshtojnë vetëm me deklarata. Ndërsa, nuk e komentojnë përurimin e tij nga përfaqësuesi i Serbisë. Analistët thotë se përurimi i këtij sheshi nga Marko Djuric është ndërhyrje brenda sovranitetit të Kosovës.
Kryeministri në detyrë, Hashim Thaçi, thotë se të gjitha çështjet që bien në kundërshtim me ligjin janë të papranueshme dhe të parealizueshme. Për parkun e përuruar nga ministri serb Djurici , Thaçi thotë se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë ta zbatojë marrëveshjen e 19 prillit. Kurse, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka deklaruar se çështja e ”Parkut të Paqes”, por edhe ndërtimi i Sheshit “Car Llazari” në Mitrovicë duhet të zgjidhen përmes kanaleve politike.
Zëvendëskryeministrja në detyrë, Edita Tahiri, thotë se edhe ky shesh do të trajtohet sipas ligjeve të Kosovës. Sipas saj, “asnjë veprim apo projekt ndërtimor, me çfarëdo emri qoftë, nuk mund të bëhet nga qeverisja komunale pa u respektuar procedurat ligjore dhe miratimet, përfshirë nga MMPH-ja”.
“Tani do të presim zhvillimet dhe në bazë të tyre edhe masat”, ka thënë ajo.
KosovaPress ka kontaktuar zyrën e presidentes Atifete Jahjaga, rreth vizitës së zyrtarit serb dhe përurimit të sheshit “Car Llazari”. Por, nga Presidenca nuk kanë dashur të deklarohen, duke thënë se kjo është përgjegjësi e Qeverisë.
Ky gjest i Serbisë flet për një ndërhyrje brenda sovranitetit të shtetit të pavarur të Kosovës, vlerëson analisti Belul Beqaj, duke shtuar se do të vazhdojë procesi i tensionimit dhe tendencës së faktorizimit të mëtejmë të serbëve në veri të Kosovës.
“Fakti se zyrtari i të ashtuquajtur Drejtori për Kosovë dhe Metohi merret me çështje të rëndësishme të brendshme të Kosovës, flet natyrisht për një ndërhyrje brenda sovranitetit të shtetit të pavarur të Kosovës. Dhe, s’do mend se kjo ndërhyrje tregon sa janë larg ata të cilët deri dje folën publikisht në emër të Kosovës, se si pas realizimit të marrëveshjes së Brukselit gjoja se po fillon procesi i normalizimit me Beogradin. Në fakt, Serbia dhe Kosova, serbët dhe shqiptarët, pas marrëveshjes së Brukselit janë më larg se që kanë qenë para fillimit të negociatave në Bruksel”, shprehet Beqaj.
Formimin e sheshit “Car Llazari” nga serbët, pranë urës kryesore të lumit Ibër në veri të Mitrovicës, dhe atij “Adem Jashari” nga banorët shqiptarë të veriut, Beqaj e vlerëson si dëshmi se nuk ka përafrim.
“Institucionet që është dashtë të reagojnë, janë në ofsajd. Ata merren me konstituimin e vetvetes; ata janë të preokupuar se a do të jenë apo jo në pushtet, e jo se çka po ndodhë brenda Kosovës”, thotë ai.
Sa më shumë që zgjatet “ngërçi politik”, siç shprehet Beqaj, gjasat janë më të mëdha që proceset e faktorizimit dhe tensionimit në veri të rriten.
“Sa më shumë që zgjatet ngërçi politik mes shqiptarëve dhe konstituimit të pushtetit të Kosovës, gjasat janë më të mëdha që proceset e faktorizimit dhe tensionimit në veri të rriten. Prandaj, unë pres që ky proces do të ndodhë pikërisht kështu, nga fakti se nuk ka ende faktorë të vetëdijshëm për atë se çfarë po ndodhë në veri. Ata janë të preokupuar më tepër se si do të konsolidohet pushteti në Kosovë, e jo çfarë po ndodhë me veriun. Kjo është pasojë e cila tregon se si është zhvilluar dhe udhëhequr politika në Kosovë. Nuk besoj se do të ketë ndryshime kualitative kur është në pyetje qasja e kësaj politike, pavarësisht se kush do të jetë nesër në pushtet, karshi veriut të Kosovës”, deklaron analisti Beqaj.
Barrikada mbi urën kryesore ishte më e madhja e barrikadave që u ngritën në korrik të vitit 2011, në shenjë kundërshtimi ndaj ndërhyrjes së forcave të posaçme të Policisë së Kosovës për të vënë nën kontroll vendkalimet kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në veri.
Një pjesëtar i Policisë së Kosovës qe vrarë në një pritë më 26 korrik të vitit 2011, ndërsa trazirat e dhunshme përfshinë veriun që nuk pajtohet me vendosjen e autoritetit të Prishtinës në zonë.
Më 19 qershor u zëvendësua ato me dy barrikada të tjera, atë “Parku i Paqes” dhe tjetri në formë të vazove të luleve, veprim të cilin Forcat paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë e patën cilësuar veprim të motivuar politikisht. /KP/
















