Tirana dhe Prishtina zyrtare i përgjigjen Maqedonisë me të njëjtën lëvizje, për të kundërshtuar notën e protestës që vendi fqinj iu nisi dy shteteve shqiptare.
Ministritë e Jashtme të Shqipërise dhe Kosovës kanë thirrur ne takim ambasadorët respektivë të Maqedonisë në këto dy vende, një ditë pasi në dikasterin e diplomacisë maqedonase u thirrën ambasadorët e Shqipërisë dhe Kosovës, të cilëve iu dorëzua edhe nota e protestës për atë që Maqedonia e cilësoi si ndërhyrje në punet e brendshme të saj.
Ambasadorit të Maqedonisë në Tiranë, në takimin që zgjati mbi një orë në Ministrinë e Jashtme, iu komunikua pakënaqësia për mënyrën e interpretimit të deklaratës së diplomacisë sonë për ngjarjet dhe dhunën e ushtruar në Shkup.
Diplomatit maqedonas i është bërë me dije, se deklarata e Tiranës zyrtare kishte për qëllim apelin për ndërprerjen e dhunës dhe për të gjetur zgjidhje nëpërmjet dialogut dhe mjeteve demokratike e paqësore.
Zotit Stojan Karajanov iu bë e qartë se, kjo nuk ka për qëllim dhe nuk mund të konsiderohet ndërhyrje në punët e brendshme. Ministria jonë e Jashtme i ka kujtuar Maqedonisë përmes zyrtarit të saj në Tiranë se Shqipëria është e angazhuar dhe ka shprehur në mënyrë sistematike mbështetjen për sovranitetin dhe integritetin territorial të Maqedonisë.
Qëndrimet e Shqipërisë janë në të njëjtën linjë me shqetësimin e shprehur nga faktori ndërkombëtar, i është deklaruar ambasadorit maqedonas në kryeqytet.
Zyrtarët e Ministrisë sonë të Jashtme kanë ripërsëritur se vetëm zbatimi në frymë dhe në gërmë e Marrëveshjes së Ohrit është shtylla kurrizore e shtetndërtimit demokratik dhe busulla orientuese për të ardhmen euro-atlantike të Maqedonisë.
“Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit reciprok kërkojnë mirëkuptim dhe përpjekje të përbashkëta”, i është thënë në takim përfaqësuesit të qeverisë së Shkupit.
Në takim është risjellë gjithashtu në vëmendje të shtetit fqinj se, shqiptarët e Maqedonisë janë jo vetëm një urë bashkëpunimi, por faktor shtetndërtues me një rol të rëndësishëm në stabilitetin e Maqedonisë dhe rajonit.
Këto qëndrime dhe shqetësimi për situatën në Shkup i janë përcjellë ministrit të Jashtëm maqedonas edhe nga homologu shqiptar Ditmir Bushati, të gjendur në Kotorr të Malit të Zi për një samit.
















