Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në prezantimin e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural ku u shpreh se për qeverinë është sfidë formalizimi dhe rajonizimi i bujqësisë në vend.
“Sfida e radhës që është në proces dhe ne jemi duke punuar bashkë me Ministrinë e Bujqësisë është padyshim formalizimi dhe rajonizimi i bujqësisë. Për të rritur punësimin dhe eksportin. Ne nuk do të financojmë projekte jashtë sensist të zhvillimit rajonal. Nuk do të shpërndajmë funde kuturu për kultura apo investime që nuk përputhen me planin kombëtar të zhvillimit të bujqësisë. Në këtë mënyrë ne do të nxisim fokusimin e rajoneve në ato kultura që janë më të argumentuara si të efektshme dhe të dobishme, për arsye të terrenit, klimës”, u shpreh Rama.
Me tej gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë njoftoi se buxheti për bujqësinë është rritur dhe kjo u bë në një vit të vështirë per ekonominë e vendit pasi sipas tij qeveria e kaluar i la një mal me borxhe.
“Në vitin më të vështirë të mandatit tonë buxheti për bujqësinë është rritur. Na duhej të administronim malin e borxheve që gjetëm. Sot jemi në kushtet kur nuk pretendojmë se kemi përmbysur situatën, por kemi arsye të mendojmë se përmbysja ka filluar. Gjithë procesi i ndryshimit të qasjes dhe marrëdhenieve me fermerin na ka dhënë një rezultat pozitie”, u tha Rama.















